Lidhje

Kosovë: Debate mbi ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme


Përfaqësues të qeverisë, partive politike dhe shoqërisë civile thanë se Kosovës i duhet një infrastrukturë ligjore e fuqishme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto komente bënë gjatë punimeve të një tryeze të rrumbullakët mbi bazën ligjore të luftës kundër krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme i cili është duke u hartuar duhet të jetë i tillë që të mos krijojë mundësi përjashtimi të figura politike dhe shtetërore.

“Në të kundërtën, ne do t’i japim mundësi krimit të organizuar, do t'i japim mundësi korrupsionit dhe do të krijojmë lehtësira që edhe kriminelët të cilët vijnë nga rajoni mund të gjejnë strehim për të zhvilluar krimin e organizuar, për të zhvilluar biznes dhe për të krijuar pasuri të paligjshme”, tha zoti Kryeziu.

Për, Glauk Konjufcën nga lëvizja Vetëvendosje, pa vullnet politik, ligjet mbeten të pazbatuara. Çështjen e korrupsionit dhe të konfiskimit të pasurisë së paligjshme, tha ai, nuk mund ta bëjnë ata që janë bartës të këtyre dukurive.

“Politikanët kryesorë të Kosovës janë shumë të pasur dhe nuk ishin kështu përpara luftës së vitit 1999. Ata janë pasuruar shumë dhe shpejt. Nuk dihet se si janë pasuruar hollësisht dhe konkretisht por dihet me siguri se si nuk janë pasuruar. Ata nuk janë pasuruar nga rrogat e tyre dhe nga të ardhurat e tyre të ligjshme që i marrin, kjo dihet me siguri. Kjo është e mjaftueshme për ta kuptuar hendekun mes të ardhurave të tyre të ligjshme dhe pasurisë së tyre reale”, tha zoti Konjufca.

Ndërkaq, ministri i drejtësisë Hajredin Kuqi, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, tha se vendi do të ketë ligjin për këtë çështje i cili do të jetë gjithëpërfshirës.

“Po ju premtoj publikisht se do ta bëjmë ligjin që i respekton standardet ndërkombëtare dhe që funksionon në Kosovë. Cilin do draft që ma bien të bashkërenduar me Eulex-in dhe Ambasadën Amerikane dhe të bashkërenduar me ju, unë do ta procedoj në Kuvend. Nuk i frikësohemi asnjë ligji, por po ju tregoj që ligji do të vlejë edhe për shoqëritë civile, edhe për qeveritarë edhe për opozitë edhe për të gjithë ata që janë vetëm qytetarë të rëndomtë. Mos e shihni fotografinë me këtë ligj të disa personave, por ky ligj do të jetë për dy milion njerëz dhe këtu do të jemi të gjithë do të thoja nën llup dhe unë jam i bindur që një gjë të tillë do ta bëjmë”, tha zoti Kuqi.

Në Raportin e fundit të Transparency International, Kosova radhitet e fundit në rajon me shkallën e korrupsionit. Ajo ndodhet në vendin e 112 me një notë prej 2.9 në një vlerësim që fillon nga zero deri në dhjetë.

Muajin e kaluar presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, themeloi Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit i cili synon, siç thuhet, të bashkërendojë veprimet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe do të identifikojë dhe bashkërendojë veprimet në përkrahje të zbatimit të strategjisë kombëtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dukuri këto që e kanë vënë Kosovën shpesh në raporte të organizatave të rëndësishme ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG