Lidhje

Kosovë: Konfirmohet akuza kundër deputetit Limaj


Kosovë: Konfirmohet akuza kundër deputetit Limaj

Kosovë: Konfirmohet akuza kundër deputetit Limaj

Në Kosovë, Gjykatësit e Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit të Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj dhe nëntë të tjerëve të akuzuar për krime lufte. Më 26 korrik një prokuror i EULEX-it, kishte ngritur një aktakuzë kundër zotit Limaj dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që sic thuhet supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.

Në muajin mars, prokurorët e EULEX-it lëshuan një urdhër arresti për deputetin Limaj, i cili gjatë luftës ishte një nga komandantët kryesor të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arrestimi i tij është pamundësuar për shkak të imunitetit, i cili ndërkaq nuk i pengon hetimet. Më 20 korrik, Qeveria e Kosovës vendosi t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë çështjen e imunitetit të deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Vendimi pasoi debatet që nxiti çështja e imunitetit të zotit Limaj.

Pas konfirmimit të akuzës pritet që procesi gjyqësor të fillojë në vjeshtën e këtij viti. Zoti Limaj i ka mohuar akuzat të cilat siç thotë ai, përfshijnë një periudhë kur ai nuk ndodhej në Kosovë.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998. Vitin e kaluar ndaj zotit Limaj, i cili ishte ministër i transporteve dhe telekomunikacionit, kishin filluar hetime nën dyshimet për korrupsion në ministrinë e tij.

XS
SM
MD
LG