Lidhje

NATO-ja e gatshme të pengojë dhunën në veriun e Kosovës

  • Leonat Shehu

NATO-ja e gatshme të pengojë dhunën në veriun e Kosovës

NATO-ja e gatshme të pengojë dhunën në veriun e Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha sot në Prishtinë se forcat paqeruajtëse nuk do të lejojnë kthimin prapa në Kosovë, ndërsa bëri thirrje për shmangie të veprimeve që mund të rrezikojnë sigurinë në vend. Ai i bëri këto komente pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë, një ditë para fillimit të operacionit të paralajmëruar nga autoritetet e Kosovës dhe prania ndërkombëtare për vendosjen e kontrollit ne vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës. Tensionet janë shtuar për shkak të kundërshtimit të një plani të tillë nga ana e Beogradit dhe serbëve lokal. Zoti Rasmussen tha se KFOR-i do të reagojë nëse rrezikohet paqja dhe siguria në Kosovë.

“NATO-ja për 12 vjet ka siguruar qëndrueshmëri e siguri dhe nuk do të lejojë që ky sukses të rrezikohet. Misioni i KFOR-it është ruajtja e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe ne do ta bëjmë këtë vendosmërisht, kujdesshëm dhe në mënyrë të paanshme”, tha ai.

Zoti Rasmusen shprehu mbështetjen për bisedimet Kosovë Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian duke vënë theksin tek marrëveshja për vulat doganore, të cilën e cilësoi si shenjë të fuqishme se rruga për të ecur përpara është dialogu e jo konfliktet, këshillimet e jo përplasjet.

“Veprimet e njëanshme nuk janë të dobishme dhe për këtë arsye u bëj thirrje të gjitha komuniteteve dhe të gjithë udhëheqësve që të tregojnë kujdes në veprimet e tyre ne ditët e ardhshme në mënyrë që të krijojnë një të ardhme më të sigurt e jo më pak të qëndrueshme”, tha zoti Rassmusen pas një konference për gazetarë së bashku me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi i cili ritheksoi vendosmërinë për zbatimin e planit për vendosjen e sundimit të ligjit ne vendkalimet kufitare bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Gjithë plani që është hartuar nga qeveria e Kosovës, tani më i konsultuar dhe i mbështetur nga të gjithë faktorët relevant do të zbatohet në përpikëri, natyrisht se do të ketë njerëz të pakënaqur, por pengesat fizike janë shumë më të dobëta se sa vlerat që ne i përfaqësojmë si institucione të Kosovës, autoritetet evropiane, NATO-ja dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Thaçi.

Plani është hartuar bashkë me praninë e Bashkimit Evropian, zyrtarët e të cilit thanë se ai synon përmirësimin e sundimit të ligjit në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës.

Plani është mbështetur sot edhe nga ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët janë takuar me kryeministrin Thaçi për të diskutuar zbatimin e procedurave të reja doganore që fillojnë më 16 shtator. Në një komunikatë për opinion thuhet mes tjerash se ambasadorët e kanë nxitur qeverinë që të vazhdojë bashkëpunimin me praninë ndërkombëtare për të forcuar autoritetin e Kosovës në vendkalimet kufitare gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare, ndërsa nënvizuan mbështetjen e qeverive të tyre për tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Kosovës, përfshirë edhe veriun. Ambasadorët theksuan se çelësi i suksesit i të gjitha këtyre përpjekjeve ishte këshillimi dhe marrëveshja në mes të qeverisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, thuhet në një komunikatë për opinion.

Planet po kundërshtohen nga Beogradi dhe serbët lokal. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se “veprimet e njëanshme të Prishtinës, të paralajmëruara për të premten, mund ta kërcënojnë seriozisht paqen dhe qëndrueshmërinë e gjithë rajonit”, duke bërë thirrje që këto plane të pengohen. Ai ka deklaruar sot në Beograd se “e vetmja zgjidhje e pranueshme për Kosovën është ajo që do të mund të dilte nga bisedimet, ndërsa ka nënvizuar se zhvillimet në Kosovë kanë rrënuar rëndë themelet e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Grupe qytetarësh serbë kanë ngritur barrikada në rrugët kryesore në veri, përfshirë edhe urën kryesore mbi lumin Ibër që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës. Banorë serbë në veri shpresojnë se Beogradi dhe Kombet e Bashkuara do të pengojnë planet e Prishtinës.

“Gjithçka do të jetë në rregull. Serbia është atdheu ynë dhe ne nuk kemi ku të shkojmë”, thotë një qytetar i veriut të Mitrovicës.

“Po presim komunitetin ndërkombëtarë, Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të ndërhyjnë, shpresojmë se kjo punë do të kryhet. Në nuk duam luftë”, thotë një qytetar i veriut të Mitrovicës që vetën e identifikon si Mirko.

Autoritetet e sigurisë thonë se gjendja në veriun e Kosovës është e qetë por me tensione që kanë mbetur të larta që nga dhuna e muajit korrik e cila shpërtheu kur qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme të policisë për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare veriore me Serbinë. Një pjesëtar i policisë u vra ndërsa grupe serbësh dogjën njërin nga vendkalimet kufitare. Dhuna bëri që forcat paqeruajtëse të NATO-s të marrin nën kontroll vendkalimet kufitare të cilat I shpallën zona të kufizuara ushtarake. Paqeruajtësit siguruan një marrëveshje të përkohshme që skadon sonte.

XS
SM
MD
LG