Lidhje

NATO kërkon zgjidhje politike për veriun e Kosovës; nuk shkurton trupat


NATO kërkon zgjidhje politike për veriun e Kosovës; nuk shkurton trupat

NATO kërkon zgjidhje politike për veriun e Kosovës; nuk shkurton trupat

Ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s, janë pajtuar për vazhdimin e pranisë aktuale të forcave paqeruajtëse në Kosovë, ndërsa kanë bërë thirrje për zgjidhje politike të situatës në veriun e Kosovës. Në përfundim të takimit dyditësh të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i kësaj Aleance, Anders Fogh Rassmusen tha se viti 2011 ishte sfidues për misionin e NATO-s në Kosovë, por trupat në terren e bënë punën shumë mirë, duke vepruar me vendosmëri, kujdes dhe në mënyrë të paanshme.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u plagosën vitin e kaluar gjatë përleshjeve me protestuesit serbë, që po mbajnë të bllokuara tash e një gjysmë viti rrugët në veriun e Kosovës, në kundërshtim të shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Sekretari Rassmusen tha se situata në veri, është ende e brishtë dhe lëvizja e lirë është e kufizuar. “Qëllimi ynë mbetet i pandryshuar. Një mjedis i qetë dhe i sigurt për të gjithë në Kosovë dhe rivendosja e plotë e lirisë së lëvizjes. Për këtë, duhet të ruajmë praninë aktuale të KFOR-it. Ne do ta shkurtojmë atë vetëm nëse këtë e lejojnë rrethanat, dhe kur të vijë koha e duhur”, tha zoti Rassmusen.

Aktualisht rreth 5800 trupa shërbejnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe zhvillimet e muajve të fundit ndryshuan planet për shkurtimin e tyre.

Sekretari Rassmusen tha se situata aktuale në veriun e Kosovës nuk mund të zgjidhet vetëm me mjete ushtarake. “Për këtë arsye, ne i inkurajojmë edhe Beogradin edhe Prishtinën që të angazhohen në tryezën e bisedimeve për të gjetur zgjidhje afatgjate, sepse askush nuk mund të përfitojë nga tensionet e së kaluarës”, tha zoti Rassmusen.

Por, përpjekjet për vazhdimin e bisedimeve kanë ngecur për shkak të mospajtimeve të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale e ndërkombëtare. Beogradi, i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës, ngulë këmbë që kjo të ndodhë në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Prishtina hedh poshtë një mundësi të tillë.

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë – Serbi, Robert Cooper, ka paralajmëruar vazhdimin e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Diplomatët po nxisin vazhdimin e bisedimeve para se Bashkimi Evropian të diskutojë në fund të muajit shkurt mundësinë që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Serbia dështoi të marrë këtë status për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës, ku përfaqësuesit e serbëve kanë paralajmëruar për mesin e këtij muaji një referendum, në të cilin qytetarët e atjeshëm do të deklaroheshin nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Prishtinës.

Ky referendum është kundërshtuar edhe nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i cili ka hedhur propozimin për një zgjidhje të veçantë për veriun e Kosovës. Ky plan është kundërshtuar nga Prishtina e cila hedh poshtë çdo mundësi të trajtimit të veçantë të asaj pjese të Kosovës, ndonëse nga Bashkimi Evropian i është kërkuar përgatitja e një plani gjithëpërfshirës për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

XS
SM
MD
LG