Lidhje

Festohet trevjetori i pavarësisë së Kosovës

  • Leonat Shehu

Festohet trevjetori i pavarësisë së Kosovës

Festohet trevjetori i pavarësisë së Kosovës

Kosova sot po shënon tre vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia, duke bërë edhe vlerësimet për atë që është bërë e nuk është bërë gjatë kësaj periudhe. Udhëheqësit e saj politikë përgëzuan qytetarët e Kosovës duke vënë theksin në përpjekjet e së kaluarës dhe ndihmën ne aleatëve ndërkombëtarë të saj.

“Viti 2008, i realizoi Kosovës aspiratën për të cilën breza të tërë luftëtarësh e veprimtarësh u përpoqën me sakrifica e mundime të gjata. Në këtë përvjetor, ne përulemi me respekt para të gjithë atyre që bënë sakrificën sublime për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e atdheut të tyre të shtrenjtë”, tha Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi.

“Sot, kur festojmë tre vjetorin e bërjes së Kosovës së pavarur e sovrane ne kujtojmë sakrificat e çdo qytetari të Kosovës, ne kujtojmë me respektin dhe krenarinë më të lart gjithë dëshmorët e lirisë, heronjtë e Kosovës, veteranët e luftës, pra gjithë çlirimtarët e Kosovës e ata janë gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, për bërjen e Kosovës shtet është merita e çdo qytetari dhe të gjithë duhet të ndihen krenarë me të arriturat e vendit tonë”, tha Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi.

“Tre vite të pavarësisë ishin tre vite të krenarisë tonë, por ishin edhe vite të sfidave të mëdha dhe sfida të përgjegjësisë. Në jetën e njeriut natyrisht se proceset ekonomike dhe sociale është vështirë të bëhen prerje në data dhe vite, por, megjithatë kjo prerje ndodhi me marrjen e përgjegjësive tona për rreth tre vitesh me 17 shkurt. Atë ditë, ne morëm përgjegjësinë për fatin e këtij vendi, përgjegjësinë për ndërtimin e një shteti demokratik dhe ligjor, për të ndërtuar institucione të qëndrueshme e përgjegjëse, ekonomi të tregut, për t’u shërbyer qytetarëve, për t’u ballafaquar me sfidat për integrimet evropiane, për një zhvillim të qeverisjes më të mirë dhe më të drejt në nivel lokal”, tha Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Në përvjetorin e tre të pavarësisë Kosova është njohur nga 75 vende të botës, një numër që është pritur të jetë më i lartë pas opinioni të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas së cilës pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtarë. Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, me të cilën Kosova pritet të fillojë një seri bisedimesh për zgjidhjen e çështjeve të interesit të përbashkët. Por në këtë sfidë të radhës, Kosova shkon me një imazh të dëmtuar edhe nga raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, por edhe nga rrjedha e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u përshkuan me parregullsi të shumta të raportuara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Tre vjetori i pavarësisë e gjeti vendin pa parlament, me një qeveri në dorëheqje dhe me ushtrues detyre të presidentit. Shteti i ri pos këtyre problemeve vazhdon të përballet edhe me shkallë të ultë të zhvillimit ekonomik, që ka kushtëzuar nja shkallë të lartë të papunësisë e rrjedhimisht edhe varfërisë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG