Lidhje

Fushatë për zgjedhjet serbe në Mitrovicë – situata e tensionuar


Partia Përparimtare serbe, bëri thirrje sot për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë, duke nënvizuar se mos mbajtja e tyre do të thoshte heqje dorë nga Kosova. Drejtuesit e kësaj partie i bënë këto komente në një tubim në veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe, duke kritikuar pushtetin aktual në Serbi, për mëdyshjet rreth mbajtjes apo jo të zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë.

Paralajmërimi i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë, kishte nxitur reagime të ashpra të institucioneve të Prishtinës, që e cilësojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe si cenim të sovranitetit të Kosovës. Ato janë kundërshtuar edhe nga institucionet ndërkombëtare, ndërsa po kërkohen rrugë për të mundësuar votimin e qytetarëve serb për zgjedhjet e përgjithshme meqë parimi i dyshtetësisë atyre u garantohet me Kushtetutën e Kosovës.

Ndonëse ende nuk ka një vendim zyrtar, qeveritarët serbë kanë paralajmëruar se mund të heqin dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë për shkak të, siç thuhet, pamundësisë së realizimit të një synimi të tillë.

Kryetari i Partisë Përparimtare serbe, Tomislav Nikolic i cili njëherësh është kandidat për president të Serbisë tha sot se nuk do të respektojë asnjë marrëveshje që është arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian e që janë në dëm të Serbisë dhe u angazhua për, siç tha, respektimin e kushtetutës së saj që Kosovën e cilëson si pjesë të shtetit serb.

Tubimi në të cilin është bërë thirrje kundër pavarësisë së Kosovës, u mbajt në një periudhë tensionesh në atë zonë të banuar me shumicë serbe

Gjendja në veri – me tensione

Gjendja në veriun e Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar, ndonëse autoritetet thonë se situata është me e qetë pas incidentit të fundit, ku humbi jetën një shqiptar dhe u plagosën dy nga fëmijët e tij. Qytetarët shqiptarë që jetojnë në veriun e qytetit, kanë bërë thirrje për shtim të masave të sigurisë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka filluar sot një seri takimesh me drejtues vendas e ndërkombëtarë të mekanizmave të sigurisë, në përpjekje të, siç thuhet, bashkërendimit të veprimeve institucionale pas zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës dhe për të diskutuar rrugët e veprimeve në funksion të shtendosjes së situatës në veri.

Situata në atë zonë është vlerësuar e rëndë nga institucionet vendase e ndërkombëtare dhe nga partitë politike. Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit, por edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë. Kryesia e Parlamentit refuzoi sot një kërkesë të tillë. Krahas vlerësimeve të gjendjes në atë zonë, diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje Prishtinës që të hartojë, siç është thënë, një qasje gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës, ndërsa gjithnjë e më shpesh po përmendet mundësia që të fillojnë bisedime të veçanta për këtë çështje, por pas zgjedhjeve presidenciale, parlamentare e lokale të Serbisë që do të mbahen me 6 maj.

Zëvendës kryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha sot se rregullimi i brendshëm i Kosovës nuk mund të jetë pjesë e kurrfarë bisedimesh me Beogradin.

Qeveria e Kosovë ka shprehë gatishmëri dhe është e gatshme që të dialogojë me qytetarët e vet të cilët kanë një breng. Por ajo nënkupton se si të kemi një qasje, për zbatimin e pakos së Ahtisaarit, të kushtetutës së Republikës së Kosovës, por jo dialog mes Kosovës dhe Serbisë për çështjet të brendshme të Kosovës. Ju e dini që edhe në vitin 2008 kemi pasur enklava anekënd Kosovës, kemi pasur dialog politik me qytetarët tanë dhe sot ata janë të integruar. Ky është qëllimi ynë, është lufta jonë. Ky është angazhimi dhe në këtë angazhim do të jemi ne aktorë, popullata lokale serbe atje, por do të kemi edhe ndihmën e faktorit ndërkombëtarë. Serbia, sa herë që ngatërrohet në këtë punë, vetëm i prishë punët, nuk i rregullon”, tha ai.

Zoti Kuqi i bëri këto komente pas takimit me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, të cilët i ka siguruar se Kosova do të mbështesë shqiptarët e asaj zonë për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar.

Nëse dikush e ruan të drejtën e vet për t’u kujdesur për minoritetin serb në Kosovë edhe ne e ruajmë të drejtën tonë që të kujdesemi për komunitetin apo për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Unë besoj shumë që shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe serbët në Kosovë, do të jenë ura lidhëse mes Kosovës dhe Serbisë në kuptimin pozitiv të fjalës. Por, Kosova nuk do të ndërtojë raporte të mira me Serbinë në kurriz të të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, tha zoti Kuqi.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tha se trajtimi i serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në komunat jugore të Serbisë duhet të jetë i njëjtë.

Morëm një garancion nga zv/kryeministri Kuqi që të gjitha ato të drejta që i kanë serbët në Kosovë, do të kërkohet që t’i kemi edhe në shqiptarët e Luginës së Preshevës. Të përdoret reciprociteti me një fjalë”, tha zoti Arifi.

XS
SM
MD
LG