Lidhje

Tërnava: Vrasja në Frankfurt - krim makabër ndaj ushtarëve të pafajshëm


Tërnava: Vrasja në Frankfurt - krim makabër ndaj ushtarëve të pafajshëm

Tërnava: Vrasja në Frankfurt - krim makabër ndaj ushtarëve të pafajshëm

Në Kosovë, një numë i madh qytetarësh por edhe personalitetesh politike e fetare, kanë vazhduar të nënshkruhen në librin e ngushëllimeve të hapur në ambasadën amerikane, në nderim të ushtarëve amerikane të vrarë në incidentin e së mërkurës në Gjermani. Të gjithë ata e kanë dënuar ashpër këtë ngjarje. Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se veprimet e tilla nuk kanë asgjë të përbashkët me traditën e shqiptarëve dhe as me parimet fetare. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, myftiu Tërnava ka tërhequr vëmendjen edhe në shkallën e lartë të tolerancës fetare në vend, duke e çmuar atë si pasurinë më të madhe të shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Tërnava, ngjarja e para dy ditëve në Gjermani, ka nxitur shumë reagime në botë por edhe në Kosovë. Çfarë janë pasojat e kësaj ngjarjeje sipas pikëpamjes suaj?

Naim Tërnava: Së pari më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, dy familjeve që humbën më të dashurit e tyre, popullit amerikan, qeverisë amerikane, t’u shpreh ngushëllimet tona të sinqerta, duke pasur gjithherë në dije se marrja apo shuarja e jetës, nuk është e drejtë e askujt. Ajo është një e drejtë që i madhi Zot, e ka lënë në kompetencën e tij. Ndaj edhe kjo ngjarje, e cila ndodhi në Franfurt të Gjermanisë, ku humbën jetën dy ushtarë amerikan dhe u plagosën dy të tjerë, nga një shtetas gjerman me prejardhje nga Kosova, sigurisht që opinionin e gjerë në Kosovë por edhe atë botëror e tronditi. Në veçanti neve, duke pasur parasysh se humbën jetën dy veta dhe u plagosën dy të tjerë prej një vendi mik, i cili na ndihmoi tepër shumë që ne sot jemi këtu ku jemi, që të arrijmë aspiratat, dëshirat tona dhe Kosova të jetë sot shtet sovran dhe i pavarur. Ndaj, kjo dhembje është e dyfishuar apo e shumëfishuar në raport me dhembjen që mund ta ketë një komb ndaj kombit tjetër. Sigurisht që feja islame në vazhdimësi thërret në paqe, në afrimin e njerëzve në mes vete, në respektimin e besimeve në mes vete dhe asgjë nuk ka të përbashkët me radikalizmin, me fundamentalizmin, me terrorizmin dhe se këto vepra të cilat dikush mendon se është duke i kryer i shtyrë apo i motivuar nga mësimet islame, ai thelbësisht nuk e ka kuptuar fjalën e Zotit, fjalën e Pejgamberit A.S., nuk ka kuptuar parimet islame ngase është mëkati më i madh në fenë islame shuarja e jetës së tjetrit. Andaj edhe ne, si Bashkësi Islame e kemi gjykuar këtë akt dhe e kemi vlerësuar si një krim makabër, që ndodhi ndaj ushtarëve të pafajshëm të një shteti mik të shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: A i dëmton marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara një ngjarje e tillë?

Naim Tërnava: Besoj që dy popujt, kanë fuqi aq të madhe sa që edhe këtë ngjarje ta tejkalojnë, duke pasur parasysh miqësinë e kamotshme mes nesh dhe duke pasur parasysh se kjo ka ndodhur pa dashjen e shqiptarëve. Në këtë mënyrë, besoj që e kanë kuptuar dhe në këtë mënyrë e trajton edhe populli amerikan edhe qeveria amerikane. Dhe sa unë kam përcjellë, të gjitha po shkojnë në këtë drejtim. Andaj, besoj që kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet tona, mirëpo ne si popull duhet bërë më shumë në këtë drejtim. Mua më gëzon fakti, si Myfti i Republikës së Kosovës, që tash e 12 vjet në Kosovën tonë, nuk kemi pasur asnjë ekses në raport me ushtarët që vijnë nga vende të ndryshme të botës, edhe nga SHBA-të, e as me personelin tjetër teknik, që ka punuar dhe punon në Kosovë tash e 12 vjet pas luftës. Dhe kjo është diç që i bënë me dije opinionit mbarë botëror, se shqiptarët janë një popull i cili din të vlerësojë miqtë dhe ndihmën e ofruar në kohën më të vështirë të historisë së tij.

Zëri i Amerikës: A ka rrezik nga elementet e skajshme islamike në Kosovë?

Naim Tërnava: Unë këto veprime, nuk kisha me i quajtur islamike. Këto nuk janë islame. Këto janë veprime që dalin nga njerëz që mund t’i takojnë një besimi, apo tjetrit. Dhe assesi, pavarësisht cilit besim i takon, ato nuk janë fetare. Nuk janë islame, nuk janë katolike, të krishtere, nuk janë ortodokse. Ato janë të individëve të cilët mund të thirren në besim dhe kinse në emër të asaj, bëjnë diçka për Zotin. Në realitet, këto nuk kanë të bëjnë me fe. Të vrasësh njerëz të pafajshëm, absolutisht kjo nuk ka të bëjë me fe dhe me parimet fetare, asnjëherë.

Zëri i Amerikës: Por, atëherë, cilat janë shkaqet që nxisin veprime të skajshme kur siç thoni edhe ju, veprimet e tilla bien ndesh edhe me besimin?

Naim Tërnava: Sigurisht unë them se aty është mosdija së pari, injoranca, jo koncept i drejtë në raport me parimet e fesë dhe sigurisht që mund të jenë të shtyrë edhe nga individë dhe shoqata që gjenden anekënd botës dhe të cilat kanë qëllime edhe terroriste, kanë qëllime dhe radikaliste, të cilat kanë qëllime të nxisin njerëzit në marrëdhënie të liga dhe të këqija mes vete. Andaj, unë thërras edhe nga ky vend edhe njëherë tërë popullatën shqiptare brenda trojeve tona etnike dhe mërgatën tonë, që ne t’i kthehemi vijës institucionale qysh e kemi pasur deri tash, të ndjekim parimet tona fetare që i kemi tash e 600 vjet këtu në Kosovë. Flas për ato islame. Dhe të mos lejojmë edhe nëse ka tentativa dhe si po shihet, mund të ketë tentativa ta radikalizmit, apo të mos tolerancës në mesin e besimeve dhe në mesin e shqiptarëve përgjithësisht, mirëpo edhe raport edhe me të tjerët që nuk janë shqiptarë. Ne duhet, në këtë drejtim, të japim një kontribut edhe më të madh. Sigurisht që këtu duhet të ketë rol edhe më të madh, pra edhe vet Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, në qartësimin, në shpjegimin edhe më të madh të fesë islame. Këtu duhet t’i jepet mundësia Bashkësisë Islame të Kosovës që ajo të ketë hapësirë më të madhe në shtjellimin e çështjeve që kanë të bëjnë me individin, familjen dhe shoqërinë mbarë dhe të mos lejojmë që të rinjtë tanë të na i edukojë rruga, apo të na i edukojnë disa njerëz, individë, apo edhe shoqata, të cilat nuk e kanë qëllimin e mirë. Dhe këtu duhet të jetë shumë më syçelë edhe qeveria dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: E përmendët tolerancën fetare të cilën edhe ju disa herë në paraqitjet tuaja publike e keni veçuar si një prej vlerave të mëdha që i ka Kosova. A po ruhet kjo?

Naim Tërnava: Sigurisht që një prej vlerave që ka pasur, e ka dhe sigurisht do ta ketë edhe në të ardhmen kombi ynë, është toleranca ndërfetare. Unë e kam thënë publikisht dhe botërisht se ky është rast unikat në botë që të jetë kjo tolerancë ndërfetare sikur që është tek shqiptarët. Nuk e kemi te asnjë komb në mbarë botën. Andaj ne me këtë krenohemi dhe është një pasuri të cilën duhet ta ruajmë dhe atë pasuri të mundohemi t’ua përcjellim edhe kombeve të tjera më të mëdhenj se ne shqiptarët, të cilët kanë edhe një zhvillim edhe më të madh edhe ekonomik, teknologjik e arsimor se Kosova, sepse kjo është begati mbi begatitë që posedojnë kombet tjera.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG