Lidhje

Thaçi: Nëse ndryshohen kufijtë, shqiptarët do të jetojnë në një shtet të vetëm


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se nëse do të ndodhte ndryshimi i kufijve në Ballkan, shqiptarët më së miri dhe më së lehti do të jetonin në një shtet të vetëm. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e sotme të Parlamentit të Kosovës i cili ka miratuar një rezolutë në kundërshtim të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë. Kryeministri Thaçi i cilësoi nxitëse për një konflikt të ri synimet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për autonomi për veriun e banuar me shumicë serbe dhe për ndryshim të kufijve të Kosovës.

Pretendimet që paraqiten aty-këtu për ndonjë autonomi apo status special, nuk janë të vërteta, janë të paqëndrueshme dhe nuk do të ndodhin. Edhe sa i përket pretendimit për ndryshimin e kufijve, unë ua kam bërë të qartë në emër të qeverisë të gjithë miqve ndërkombëtar mesazhin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, se me pretendime të tilla për ndryshimin e kufijve, shqiptarët më së miri dhe më së lehti mund të jetojnë në një shtet të vetëm”, tha kryeministri Thaçi.

Parlamenti i Kosovës miratoi një Rezolutë në kundërshtim të zgjedhjeve serbe duke i cilësuar ato si dëmtim të rendit kushtetues të saj. Në tekstin e Rezolutës që e paraqiti në emër të grupeve parlamentare, Adem Grabovci nga Partia Demokratike e Kosovës thuhet se organizimi i këtyre zgjedhjeve është shkelje e sovranitetit të Kosovës. “Parlamenti ndalon mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe Qeveria obligohet ta zbatojë këtë vendim”, thuhet mes tjerash në tekstin e Rezolutës.

Kundër zgjedhjeve serbe janë shprehur edhe diplomatët ndërkombëtarë të cilët tërheqin vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e Kosovës, do të ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Autoritetet serbe thanë se qeveria e Serbisë në bashkëpunim me UNMIK-un do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë, meqë siç thuhet, Serbia është e detyruar të respektojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zyrtarë të UNMIK-ut nuk kanë komentuar këto qëndrime.

Që nga përfundimi i luftës, Serbia ka organizuar zgjedhjet e saj edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe ndonëse ato nuk janë mbështetur as nuk janë penguar nga autoritetet vendase e ndërkombëtare. Por, kësaj radhe thuhet se Serbia duhet të sillet në pajtim me statusin e saj si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Ajo mori këtë status në fillim të muajit mars pas një marrëveshjeje me Kosovën në të cilën janë përfshirë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe opinioni i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës akuzon Beogradin për mospërmbushje të marrëveshjes

Por, qeveria e Kosovës akuzoi sot Serbinë për moszbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal. Në një komunikatë të qeverisë thuhet se shkelja e marrëveshjes ka ndodhur sot në kuadër të konferencës rajonale “Partneriteti për ndryshim: shoqëria civile dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi” e cila po mbahet në Beograd. Mosrespektimi i marrëveshjes sipas qeverisë, ka bërë që përfaqësuesi i qeverisë së Kosovës të braktisë konferencën. Qeveria pohon se janë shkelur pikat dy dhe katër të marrëveshjes, të tekstin e së cilës që sot është publikuar për herë të parë, thuhet se “Kosova me një yll pranë emrit të saj, është shënimi i vetëm që do të përdoret në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe se ajo merr pjesë vetë dhe flet për veten e saj në të gjitha takimet rajonale”.

Ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që në përputhje me rolin e tij si ndërmjetës dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për të garantuar zbatimin në praktikë të tyre.

XS
SM
MD
LG