Lidhje

Kosovë: Hashim Thaçi emërohet mandatar i qeverisë

  • Leonat Shehu

Kosovë: Hashim Thaçi emërohet mandatar i qeverisë

Kosovë: Hashim Thaçi emërohet mandatar i qeverisë

Presidenti i Kosovës në detyrë, Jakup Krasniqi ka vendosur të emërojë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nëpërmjet këtij vendimi që u bë publik sot, zoti Thaçi ftohet që në afatin më të shkurtër kohor, të bëjë koalicionet e nevojshme me partitë politike për të formuar koalicionin për qeverinë e re dhe të dalë me propozim para Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Parlamenti do të mblidhet të hënën, kur sipas rendit të ditës duhet të zgjidhet udhëheqja e tij dhe të bëhet betimi i deputetëve.

Por, vendimi i presidentit në detyrë Jakup Krasniqi, duket se hap mundësitë që në të njëjtën mbledhje të votohet edhe për qeverinë e re dhe presidentin e ri të vendit. Ditët në vazhdim pritet të sqarojnë më shumë dakordimin e Partisë Demokratike që të hyjë në koalicion qeverisës me Aleancën Kosova e Re, partitë e pakicave dhe Listën Ibrahim Rugova që ka një deputet në Parlamentin e Kosovës. Po ashtu Partia Demokratike është dakorduar që t’i jap postin e presidentit Aleancës Kosova e Re e cila për këtë post ka nominuar kryetarin e saj, Behgjet Pacolli.

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se java që po vjen do të jetë periudhë e fillimit të punës së qeverisë së re e cila siç ka theksuar ai, do të përballet me një periudhë sfidash që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit dhe zhvillimit ekonomik, qëndrueshmërisë politike dhe në veçanti integrimet evropiane.

Çështja e integrimit të Kosovës ishte pjesë e vizitës disaditëshe të Zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për zgjerim, Stefano Sannino, i cili tha sot se Kosova ka ardhmëri evropiane, por duhet të përmbushë reformat e vështira që krijojnë qëndrueshmëri dhe përparim. Ai tha se Komisioni Evropian mirëpret punën me qeverinë e Kosovës në realizimin e aspiratave evropiane. Zoti Sannino tha se Kosova ka bërë përparime thelbësore në përmbushjen e kritereve për përfshirje në dialogun për liberalizimin e vizave.

“Ne besojmë se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Shpresojmë se tash me krijimin e qeverisë së re do të kemi mundësi të ulemi dhe të përcaktojmë qartazi se çfarë duhet bërë për të ecur më shpejt në këtë drejtim”, tha zoti Sannino, por pa saktësuar se kur mund të fillojë ky proces.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin perëndimorë që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG