Lidhje

KFOR-i mirëpret largimin e barrikadave në veriun e Kosovës


KFOR-i mirëpret largimin e barrikadave në veriun e Kosovës
KFOR-i mirëpret largimin e barrikadave në veriun e Kosovës

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë e kanë mirëpritur vendimin e serbëve të veriut për fillimin e largimit të barrikadave në veriun e Kosovës. Në një komunikate për opinion të kësaj force thuhet se “largimi i pengesave nga popullata është kërkuar nga forcat paqeruajtëse gjatë disa javëve dhe kjo paraqet një hap përpara”.

Në komunikatë më tej thuhet se “KFOR-i në mënyrë që të përshpejtojë aksionin, ka ndihmuar në largimin e zhavorrit duke përdorur mjete të rënda”.

Forcat paqeruajtëse kanë bërë të ditur se nga dita e sotme së bashku me Policinë e Kosovës do ta vendosin një pikë kontrolli për automjete, “në mënyrë që të sigurohet ambient i qetë dhe i sigurt në luginën e Zubin Potokut”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Serbët në veriun e Kosovës filluan sot zhbllokimin e rrugës që çon drejt vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinje. Largimi i barrikadave pasoi takimin në mes të përfaqësuesve të serbëve lokal dhe përfaqësuesve të trupave paqeruajtëse të NATO-s, për mundësinë e qarkullimit të lirë në atë pjesë të Kosovës.

Fillimi i largimit të barrikadave vjen pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë për menaxhimin e përbashkët të vendkalimeve kufitare, të arritur javën e kaluar në Bruksel.

Ndërkaq, sot ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të japin mendimin lidhur me dhënien e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vendimin për dhënien e statusit të kandidatit Beogradit, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Autoritetet serbe shpresojnë të marrin statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjes së arritur me Kosovën për menaxhimin e përbashkët të vendkalimeve kufitare, një prej çështjeve më të mprehta në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Përparimi në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian është parë si kusht themelor për Serbinë që të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, vendet e Bashkimit Evropian janë të ndara rreth kësaj çështjeje, për shkak të dhunës në veriun e Kosovës ku gjatë javës së kaluar, disa dhjetëra ushtarë të NATO-s u plagosën në përleshje me protestuesit serbë që kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Serbët në veriun e Kosovës kanë vendosur barrikada që nga muaji korrik, kur qeveria e Kosovës u përpoq të merrte nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë.

XS
SM
MD
LG