Lidhje

Kosovë: Shënohet dita ndërkombëtare e personave të zhdukur

  • Leonat Shehu

Kosovë: Shënohet dita ndërkombëtare e personave të zhdukur

Kosovë: Shënohet dita ndërkombëtare e personave të zhdukur

Me një parakalim dhe shfaqje në qendër të Prishtinës, Kosova sot filloi shënimin e 30 gushtit ditës ndërkombëtarë për persona të zhdukur duke kërkuar ndriçimin e fatit të 1 mijë e 800 personave, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare. Përfaqësues të institucioneve dhe shoqatave të familjarëve të të zhdukurve thanë se zgjidhja e kësaj çështjeje është një nga parakushtet për qëndrueshmërinë në rajon. Kryetari i komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Pren Gjetaj tha se me manifestimet e sotme dhe ato të paralajmëruara për nesër, Kosova po u bashkohet rreth 90 vendeve të botës që edhe më tej kërkojnë ndriçimin e fatit të më shumë se 50 mijë personave të regjistruar si të zhdukur.

“Dita ndërkombëtare shënohet nëpër shumë vende të botës dhe ne si pjesë e botës që patëm fatin që si pasojë e luftës që të humbim shumë njerëz dhe të mos dimë për fatin e tyre, edhe ne inkuadrohemi në shënimin, përkujtimin, sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e gjithë opinionit zyrtar dhe qytetarëve për tu angazhuar në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur, por edhe njëherë për të qenë afër familjarëve që u mungojnë më të dashurit”, tha zoti Gjetaj.

Ndërkaq, Haki Kasumi nga shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur kërkoi më shumë angazhim nga institucionet vendase e ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur.

“Ne i bëjmë thirrje edhe kësaj radhe qeverisë tonë, i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar dhe iu tregojmë botës se jemi pjesë e saj dhe sot shënojmë ditën e dhimbjes ndërkombëtare, e cila për fat të keq në mënyrë mjaft të rëndë e ka goditur edhe Kosovën dhe në mënyrë të veçantë popullatën shqiptare të saj, e cila me shekuj kërkoj dhe rrugëtoj drejt lirisë të cilën ne sot po e gëzojmë”, tha zoti Kasumi.

Ndërkaq, Edita Tahiri, shefe e delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, tha se kjo çështje është pjesë e këtyre bisedimeve ku është kërkuar angazhim më i madh i faktorëve ndërkombëtarë.

“Prandaj kemi kërkuar që kjo çështje të shtrohet në dialog dhe Bashkimi Evropian të marr obligime për ta shtyrë përpara këtë proces, si dhe kemi kërkuar që në kuadër të raportit të progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe për Serbinë çështja e të pagjeturve të trajtohet në mënyrën e duhur. Po ashtu në kuadër të dialogut me një platformë të qartë kemi kërkuar që të gjitha varrezat masive të cilat ende nuk janë zbuluar apo ende nuk janë hulumtuar, të bëhet kjo”, tha zëvendëskryeministrja Tahiri.

Që nga pranvera e vitit 2004, Beogradi dhe Prishtina kanë zhvilluar një seri takimesh të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq, por rezultatet ishin të pakta për zgjidhjen e kësaj çështjeje që vlerësohet nga trashëgimitë më të dhimbshme të luftës në Kosovë.

XS
SM
MD
LG