Lidhje

Parlamenti i Kosovës miratoi një mocion të ri për masa të ndërsjella me Serbinë

  • Leonat Shehu

Parlamenti i Kosovës miratoi një mocion të ri për masa të ndërsjella me Serbinë

Parlamenti i Kosovës miratoi një mocion të ri për masa të ndërsjella me Serbinë

Parlamenti i Kosovës miratoi sot me 59 vota për 41 kundër, një mocion të ri për masa të ndërsjella me Serbinë. Mocioni i propozuar nga Partia Demokratike në pushtet zhvlerëson mocionin e mëhershëm të opozitës për masa të ndërsjella me Serbinë.

Në tekstin e mocionit thuhet se Parlamenti mirëpret marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë – Serbi dhe mbështet zbatimin e tyre. Qeveria e Kosovës duhet të vendosë për masat përkatëse reciproke, për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve. Qeveria duhet t’i raportojë Parlamentit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe shfuqizon të gjitha vendimet e Parlamentit në lidhje me këtë çështje, thuhet në tekstin e mocionit, i cili u miratua vetëm dy ditë para mbajtjes së protestës së re të lëvizjes Vetëvendosje, e cila kërkon masa të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë, siç ishte parashikuar në mocionin e 7 dhjetorit të vitit të kaluar.

Moszbatimi i atij mocioni kishte bërë që Vetëvendosje më 14 janar të organizojë protesta me të qëllim të bllokimit të vendkalimeve kufitare me Serbinë, të cilat përfunduan me përleshje të dhunshme me policinë.

Këto zhvillime përshkuan sot në tërësi punimet e Parlamentit të Kosovës ku janë zhvilluar debate shpesh të ashpra. Koalicioni qeveritar i bëri thirrje lëvizjes Vetëvendosje që të heq dorë nga protestat, ndërsa kjo e fundit kërkoi që qeveria të zbatojë vendimet e Parlamentit.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se çështjet e hapura duhet të debatohen në kuadër të institucioneve.

“Vetëm bashkëpunimi, komunikimi, dialogu është ajo që duan qytetarët duke respektuar gjithmonë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në anën tjetër dëshiroj të theksoj se vetëm komunikimi dhe integrimi është e ardhmja jonë dhe jo bllokadat”, tha kryeministri Thaçi.

Por, shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se veprimet e kësaj lëvizjeje janë të drejtuara kundër Serbisë.

“Serbia nuk është shtet normal karshi Kosovës. Ajo nuk na njeh dhe na lufton për çdo ditë. Me të nuk kemi marrëdhënie reciproke. Meqenëse mungon reciprociteti mungon barazia. Bllokimi i Serbisë, meqenëse po na bllokon ajo si dhe ndërprerja e negociatave me të duke qenë se ato janë vetëm në favor të saj do ta vendoste Kosovën në avantazh karshi Serbisë. Ne do t'ia kthenim kurrizin asaj deri sa ajo vendos që të ndryshoj karshi Kosovës”, tha zoti Ymeri.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti, tha se kjo parti që kishte votuar në favor të mocionit për reciprocitet me Serbinë kërkon funksionimin e plotë dhe demokratik të institucioneve të vendit.

“Si votuese e mocionit, Lidhja Demokratike e Kosovës përjashton çfarëdo metode të dhunshme të zbatimit të tij, qoftë nga ana e subjekteve politike qoftë nga ana e qeverisë. Marrëveshja është gjithmonë zgjidhja më e mirë politike për interesat e Kosovës dhe të popullit të saj”, tha zoti Hamiti.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar për të dielën më 22 janar protestat e reja me gjithë thirrjet për shmangien e tyre, ndërsa ende nuk është e qartë se si do të ndikojë mocioni i miratuar sonte në veprimet e mëtejshme të kësaj lëvizjeje.

XS
SM
MD
LG