Lidhje

Hysa: UNMIK po pengon integrimin e veriut të Kosovës


Hysa: UNMIK po pengon integrimin e veriut të Kosovës

Hysa: UNMIK po pengon integrimin e veriut të Kosovës

Zyra e bashkërenduesit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut të banuar me shumicë serbe, ka kritikuar Misionin e Kombeve të Bashkuara se po e pengon këtë proces. Në një raport të kësaj zyre, thuhet mes tjerash se administrata e UNMIK-ut në vend se të shpërbëjë strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi, po lejon veprimin e tyre. Bashkërenduesi i qeverisë për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut, Ylber Hysa tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se UNMIK-u po e pengon integrimin me mos bërjen e tij. Raporti thotë ai, vë në pah një gjendje reale dhe dëshmon se UNMIK-u nuk e ka respektuar misionin e tij.

Të themi që ky angazhim, së pari nuk i ka përfillur interesat e të gjitha komuniteteve, vazhdon të punësojë njerëz të cilët për kah struktura nuk duket që janë përfillës madje edhe për sa i përket organizatës që punojnë, e lëre më që të jenë aty për të realizuar interesat e komuniteteve. Në thjeshtë besojmë se ky institucion q ë punon me paratë e buxhetit të Kosovës, është koha që thjeshtë të mendoj se si do të vazhdojë ose s’do të vazhdojë të punojë atje”, tha zoti Hysa.

Ndërkohë shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier, ka reaguar ndaj këtij raporti, duke nënvizuar se ai përmban siç thuhet “një numër pohimesh të pabaza”. Në një komunikatë për opinion ai shpreh siç thuhet, “keqardhjen që autorët nuk janë këshilluar me të apo zyrtarët e duhur të Kombeve të Bashkuara gjatë përgatitjes së këtij raporti. Po ta bënin këtë, do të kishin mundësinë të publikojnë një raport të saktë”, thuhet në reagimin e zotit Zannier.

Por, zoti Hysa thotë se të paktën pesë burime brenda UNMIK-ut kanë debatuar me zyrën e tij, ndërsa vet zoti Zannier ishte i pari që kishte marrë këtë raport.

Por unë mund ta kuptojë një shqetësim të tillë, sepse UNMIK-u është mësuar që askush kurrë të mos i monitorojë për punën që bëjnë atje dhe ja një observim modest duket se i ka shtyrë që të reagojnë në këtë mënyrë. Ne e kuptojmë që mund të jenë nervoz. Ne po ashtu nuk dëshirojmë që ta zhbëjmë komplet punën e tyre, të mos jemi falënderues për atë që ka bërë UNMIK-u, por, një nervozë e tillë duket që nuk është e bazuar dhe ka ardhur koha që edhe ata vet të mendojnë se çka kërkojnë këtu”.

Zoti Hysa thotë se ky raport është pos tjerash edhe një mundësi debati rreth strategjisë dalëse për UNMIK-un roli i të cilit duhet të trajtohet në kuadër të zhvillimeve të fundit politike rreth Kosovës.

Nëse kemi iniciuar një debat të tillë, atëherë së paku UNMIK-u do të duhej të ishte falënderues që po i ndihmojmë që të dalë me fytyrë nga një mision si ky në Kosovë. UNMIK-u do të duhej të konsiderojë Kosovën jo si një mision të dështuar. Sa më shumë që të vonojë, ky sukses mund të zbehet dhe zhbëhet, sidomos pas rezolutës në OKB ku qartazi shihet që i jepet një rol BE-së. Në këtë aspekt në kemi dashur që të iniciojmë këtë debat pa dashur që dikush të ndjehet i ofenduar. Ata që do të duhej të ndjeheshin të ofenduar janë pikërisht qytetarët e Kosovës që vazhdojnë me paratë e tyre të paguajnë një mision i cili nuk i kontribuon Kosovës”, theksoi zoti Hysa.

Zyra Civile Ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës paralajmëruan në fillim të këtij viti një strategji për veriun e vendit që parasheh organizimin e zgjedhjeve lokale në komunat veriore përfshirë edhe komunën e re në veriun e Mitrovicës, dhe mënjanimin e strukturave paralele. Strategjia e cila asnjëherë nuk është bërë krejt publike, është kundërshtuar nga Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të cilët kundërshtojnë ashpër pavarësinë e Kosovës. Zoti Hysa tha se zhvillimet pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës dhe rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara janë ndihmesë në përpjekjet për zbatimin e strategjisë dhe tash është koha që edhe UNMIK-u të kuptojë se duhet të mendohet ndryshe për Kosovën dhe veriun e saj.

XS
SM
MD
LG