Lidhje

Kosovë: Isa Mustafa, kryetari i ri i LDK


Kosovë: Isa Mustafa, kryetari i ri i LDK

Kosovë: Isa Mustafa, kryetari i ri i LDK

Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, që nga dita e sotme është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kuvendi i shtatë i kësaj partie vendosi me shumicë votash për zotin Mustafa, i cili konkuroi përballë kryetarit të deritashëm të kësaj partie Fatmir Sejdiu. Isa Mustafa mori 235 vota kundrejt zotit Sejdiu i cili fitoi 124 vota të delegatëve të kuvendit. Menjëherë pas fitores, zoti Mustafa hodhi propozimin që zoti Sejdiu të jetë kryetar nderi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që u miratua njëzëri nga delegatët. Zoti Mustafa bëri thirrje me këtë rast për ribashkimin e të gjitha atyre që ishin larguar nga kjo parti dhe u zotua se do ta shndërrojë Lidhjen Demokratike të Kosovës në partinë e parë të vendit.

Pas zgjedhjes së tij në postin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zoti Mustafa tha se do të jetë edhe bartës i listës së kësaj partie në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Isa Mustafa i lindur në vitin 1951 është doktor e shkencave ekonomike. Gjatë viteve 90-të ishte pjestar i qeverisë së Kosovës në mërgim, ndërsa pas luftës ishte pjesë e veprimtarive politike që çuan në zgjedhjen e tij në postin e kryetarit të Prishtinës në vitin 2007 dhe rizgjedhjen e tij në vitin 2009. Ai i shqua gjatë kësaj kohe si një nga kundërshtarët kryesor të koalicionit qeverisës ndërmjet partisë së tij dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Zgjedhja e tij në postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike pasoi zhvillimet politike që çuan në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për 12 dhjetorin e këtij viti. Në fund të muajit tetor, ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dha dorëheqjen nga ky post, pasi Gjykata Kushtetuese gjeti se ai kishte shkelur kushtetutën e vendit duke mbajtur njëkohësisht postin e presidentit dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky veprim u pasua nga vendimi i kësaj partie që të tërhiqet nga koalicioni me Partinë Demokratike që çoi në rrëzimin e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Shpallja e zgjedhjeve përshpejtoi edhe përgatitjet e partive politike dhe rrjedhimisht edhe të mbajtjes së kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili ishte caktuar fillimisht për datën 23 dhjetor që është edhe përvjetori i themelimit të saj. Zhvillimet politike shtuan shqetësimet e drejtuesve të kësaj partie për mundësinë e ndarjeve të reja brenda saj. Ish ministri i shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, Bujar Bukoshi dhe Ukë Rugova, i biri i presidentit të ndjerë të Kosovës Ibrahim Rugova tashmë kanë shpallur një nismë të veçantë të njohur si “LDK Ibrahim Rugova” për të marrë pjesë në zgjedhje. Por ata kanë paralajmëruar se mund të rikthehen në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rast se Fatmir Sejdiu nuk do të jetë drejtues i saj.

XS
SM
MD
LG