Lidhje

Kosovë: Vazhdojnë debatet rreth zhvillimeve politike


Kosovë: Vazhdojnë debatet rreth zhvillimeve politike
Kosovë: Vazhdojnë debatet rreth zhvillimeve politike

Në Prishtinë, po vazhdojnë debatet rreth zhvillimeve politike në Kosovë pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që të tërhiqet nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës ka urdhëruar zëvendëskryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat e saj që përfundimisht, nesër në mëngjes të bëjnë dorëzimin e posteve të tyre.

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, e cilësuan krizë institucionale gjendjen e re të krijuar në vend, ndërsa veprimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, veprim për interesa të ngushta të kryetarit të saj Fatmir Sejdiu. Ky veprim e ka vënë vendin në krizë institucionale dhe rrethanat e reja kërkojnë zgjidhje të jashtëzakonshme politike dhe kushtetuese, thonë zyrtarët e Partisë Demokratike duke mos përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Zoti Fatmir Sejdiu ka pohuar se vendimi ishte pasojë e siç është shprehur ai injorimit të partisë së tij nga partia në pushtet me rastin e miratimit të Strategjisë për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Ai ka thënë edhe sot se vendimi është në momentin e duhur dhe nuk është vendim që dëshiron ta dëmtojë qëndrueshmërinë në Kosovë. Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës ekzistojnë rrugë ligjore e kushtetuese për tejkalimin e situatës së krijuar, përfshirë mundësinë e koalicioneve të reja qeverisëse apo formimit të qeverisë teknike deri në zgjedhjet e parakohshme, tashmë të caktuara për 13 shkurtin e vitit 2011.

Rrugëdalja është debatuar edhe në takime me dyer të mbyllura ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesve diplomatikë të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Opozita ndërkaq vlerëson se rënia e qeverisë së koalicionit është përfundim siç thuhet i natyrshëm i kësaj qeverie, ndërsa ka qëndrime të ndryshme rreth zhvillimeve në vijim. Një pjesë e saj mendon se zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë mbetur zgjidhja e vetme për situatën në vend, ndërsa një pjesë mendon se është e pamundur që kjo të ndodhë në një kohë të shkurtër.

Të shqetësuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme janë shprehur edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka thotë se është e vështirë të organizohen zgjedhje të mira në një kohë të shkurtër.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u imponuan me dorëheqjen e ish presidentit të vendit Fatmir Sejdiu pasi që Gjykata Kushtetuese konstatoi se ai ka shkelur kushtetutën duke mbajtur dy poste, atë të presidentit dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Koalicioni qeverisës ndërmjet rivalëve të vjetër Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pasoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2007. Marrëveshja për bashkëqeverisje u arrit në janar të vitit 2008 ndërsa një muaj më vonë në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e cila është njohur nga 70 vende të botës. Zgjedhjet lokale të vitit 2009 shënuan një periudhë përplasjesh ndërmjet partnerëve të koalicionit, ndërsa dorëheqja e ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu duket se i dha goditjen e fundit këtij koalicioni.

XS
SM
MD
LG