Lidhje

Debate rreth privatizimit të postës dhe telekomit në Kosovë

  • Leonat Shehu

Debate rreth privatizimit të postës dhe telekomit në Kosovë

Debate rreth privatizimit të postës dhe telekomit në Kosovë

Ekspertë të çështjeve ekonomike, përfaqësues të politikës e të biznesit thanë të dielën në Prishtinë se privatizimi i Postës dhe telekomunikacionit të Kosovës është një proces që nuk duhet të ndalet, por autoritetet duhet të bëjnë vlerësime më të qarta rreth përfitimeve që mund të ketë Kosova nga ky proces. Qeveria e Kosovës ka vendosur të shesë 75 për qind të aksioneve të Postës dhe telekomunikacionit, që është edhe ndërmarrja shoqërore më fitimprurëse në Kosovë. Autoritetet presin që çmimi i saj të arrij ndërmjet 300 e 600 milion eurosh që do të përdoreshin për financimin e projekteve më të mëdha përfshirë edhe autostradën që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Kryetari I Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se privatizimi i Postës dhe telekomit duhet të jetë në funksion të rimëkëmbjes ekonomike të vendi.

“Nga vetë fakti që shuma e përgjithshme e PTK-së përmes tatimeve në periudhën kohore 2006 - 2010 është më se 115 milion euro, është një dëshmi se për çfarë ndërmarrje publike kemi të bëjmë. Fitimi i akumuluar në periudhën janar 2006 - dhjetor 2010 është 187 milion euro dhe kjo vërtet e paraqet rëndësinë e kësaj ndërmarrjeje”, tha zoti Gërxhaliu.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për ekonomi, energjetike, transport e telekomunikacion, Myzejene Selmani thotë se privatizimi i Postës dhe Telekomunikacionit është i përshpejtuar.

Mirëpo nuk mund të them se duhet të shitet PTK-ja që të ndërtohet apo të mbushet buxheti i Kosovës, kur përpara vetes kam kornizën afat mesme të shpenzimeve ku thuhet se deficiti buxhetor i përgjithshëm për vitin 2010 është minus 218 milion euro ndërsa për projektimin e buxhetit të vitit 2011 është minus 328 milion euro”, thotë zonja Selmani.

Analisti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi tha se procesit të privatizimit duhet t’i paraprijnë disa çështje parësore që kanë të bëjnë me liberalizimin e tregut dhe konkurrencës në treg.

“Procedurë më e ngutshme është rregullimi i tregut, heqja e operatorëve ilegal dhe krijimi i hapësirës ku vërtet do të bëhet një konkurrencë e drejt, e tek pastaj të shikohet si do të bëhet me problemin e privatizimit të postës. Nuk e di si do të funksionojë një PTK e ardhshme me problemet të cilat janë qoftë në veri të vendit e në enklava, apo me mosfunksionimin e tërësishëm të tregut të telekomunikacionit në Kosovë”, tha zoti Rexhepi

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se procesi i deritashëm i privatizimit nuk e ka ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike, madje ka ndikuar në shtimin e numrit të të papunëve dhe për këtë arsye kërkon një proces të kujdesshëm.

“Na kanë mbetur afër 100 mijë punëtorë pa vendin e tyre të punës gjatë këtij procesi të privatizimit, janë paraparë të punësohen diku rreth 60 mijë mirëpo as ajo nuk është plotësuar, pastaj ekonomia e Kosovës ju e dini çfarë gjendje është dhe tani me këto privatizime të ndërmarrjeve publike kur nuk është vonë, nuk duhet të bëjmë hop pa e kërcyer lumin sepse do të bimë në lum”, thotë zoti Arifi

Shpallja e procesit të privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës i cili pasoi debatet e ashpra të qeverisë dhe opozitës, është mbështetur nga diplomatë ndërkombëtare të cilët kërkojnë që qeveria të qëndrojë më larg ndërmarrjeve shoqërore dhe biznesit. Autoritetet kanë paralajmëruar ndërkaq edhe privatizimin e rrjetit të furnizimit me energji elektrike të Korporatës Energjetike të Kosovës si dhe përgatitjen e tenderit për ndërtimin e një Termocentrali të ri. Autoritetet shpresojnë se në këtë mënyrë do të tërheqin investime të huaja aq të nevojshme për rimëkëmbjen e ekonomisë së drobitur të vendit që ka kushtëzuar një shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë.

XS
SM
MD
LG