Lidhje

Kriza evropiane dhe rritja ekonomike në Evropën juglindore

  • Leonat Shehu
  • Zëri Amerikës

Kriza evropiane dhe rritja ekonomike në Evropën juglindore

Kriza evropiane dhe rritja ekonomike në Evropën juglindore

Banka Botërore parashikon një rritje të ngadalshme të ekonomive të vendeve të Evropës Juglindore gjatë këtij viti dhe atij që po vjen. Ky konstatim është pjesë e përfundimeve të një raporti Ekonomik mbi Evropën Juglindore, i cili është publikuar sot dhe pritet të jetë i rregullt çdo gjashtë muaj. Në raport thuhet se parashikimet për rritjen ekonomike në këtë rajon janë prej 2.5 për qind në vitin 2011 dhe 2.1 për qind në vitin 2012. Por, kjo do varet shumë nga rrjedha e krizës në zonën euro. Deri tash është thënë se Kosova nuk është ndikuar shumë nga kriza ndonëse ka monedhë zyrtare euron. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankës Botërore ajo është mbrojtur nga fakti se ka qasje të kufizuar në tregjet ndërkombëtare. Por, sipas Borko Handjiski ekonomist i Bankës Botërore, kjo situatë duhet të ndryshojë.

“Fakti se Kosova është mbrojtur në afat të shkurtër, nuk do të thotë se ajo duhet të qëndrojë në gjendjen aktuale, por duhet te punojë për t’u integruar më thellësisht në ekonominë evropiane. Sikurse për Kosovën edhe për vendet tjera të rajonit, ardhmëria evropiane është rrugëdalja nga gjendja aktuale, me gjithë problemet ekonomiken në Eurozonë, meqë ajo paraqet një burim të rëndësishëm të të ardhurave për të gjitha vendet e Evropës Juglindore”, thotë zoti Handjiski.

Por, eksperti i çështjeve ekonomike Lekë Musa nga Oda Ekonomike Amerikane thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës se kriza mund të pasqyrohet ne disa fusha në Kosovë.

“Unë pres që në Kosovë të ketë ndikime në vitin e ardhshëm. Në rend të parë nuk do të kemi investime të huaja të cilat i duhen Kosovës jashtëzakonisht shumë, politikat kredituese të bankave sigurisht do të jenë më të konservuara dhe së fundmi e dimë se ekonomia e Kosovës është jashtëzakonisht shumë e varur prej financimeve të jashtme, në rend të parë prej remitancave nga diaspora të cilët jetojnë në këto vende perëndimore të cilat janë të prekura direkt nga kriza”, thotë zoti Musa.

Ndërkaq Agim Demukaj, ekonomist në Bankën Botërore, thotë se parashikimet për rritjen ekonomike do të varen nga zhvillimet në Evropë, por ajo ka mundësi për një rritje shtesë.

“Kosova megjithatë edhe në krizën e kaluar ka qenë më mirë se të tjerët, bashkë me Shqipërinë në këtë rast, për shkak të ndikimit të limituar të efekteve negative prej krizës globale. Në këtë relacion, ne ende parashikojmë diku rreth 5 për qind rritje ekonomike edhe pse varësisht prej ndikimeve që mund të ndodhin në Eurozonë, megjithatë një rishikim mund të vjen që do të ketë një zbritje të asaj rritjeje në rreth 4 për qind”, thotë zoti Demukaj.

“Çështje tjetër e jashtëzakonshme është se kush është kontribuesi i kësaj rritje ekonomike. A është shtytësi kryesor shpenzimet publike apo është sektori privat? Ajo çka është për keqardhje është se kryesisht kontribues kryesor i kësaj rritjeje ekonomike është sektori publik”, thotë Lekë Musa nga Oda Ekonomike Amerikane.

Por, për zotin Musa, Kosovës i duhet një rritje prej 7 për qind për të zvogëluar shkallën e lartë të papunësisë në vend, që sipas raportit të Bankës Botërore është një veçori dalluese e tregut të punës bë vendet e Evropës Juglindore. Sipas një studimi të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, papunësia vazhdon të jetë problemi më madhor me të cilin përballet Kosova.

XS
SM
MD
LG