Lidhje

Sekretarja Klinton kritikon planet e kishës evangjeliste për të djegur Kuranin


Sekretarja Klinton kritikon planet e kishës evangjeliste për të djegur Kuranin
Sekretarja Klinton kritikon planet e kishës evangjeliste për të djegur Kuranin

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton i quajti planet e një kishe të vogël evangjeliste për të djegur kopje të Kuranit më 11 shtator, një “veprim ofendues dhe për të ardhur keq”. Ajo i bëri komentet mbrëmë gjatë një darke iftari në Departamentin e Shtetit. Organizata e vogël e krishterë në Florida, do t’i djegë të shtunën disa kopje Kurani në shenjë proteste kundër ektremistëve të dhunshëm Islamistë. Dita shënon nëntë vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara. Sipas amendamentit të parë të Kushtetutës që garanton lirinë e shprehjes, kisha ka të drejtën ta djegë librin e shenjtë. Por udhëheqës të tjerë fetarë në Florida druhen se kjo ngjarje do të dërgojë mesazhin e gabuar për tolerancën fetare.

I përndershmi Terry Jones, prifti i kishës thotë se pavarësisht nga kërcënimet me vdekje, ai dhe anëtarë të tjerë të kishës kanë në plan të djegin 200 kuranë të shtunën.

“Dita ndërkombëtare për djegien e Kuranit. Ne e vëmë këtë shenjë sepse shenja jonë më e vogël ishte vandalizuar shumë herë. Dhe djegia do të bëhet këtu”.

I përndershmi Xhons thotë se anëtarët e tjerë të kishës tani mbajnë pistoleta për të mbrojtur besimtarët. Ai thotë se synimi i djegies së Kuranëve është që t’i dërgohet një mesazh al-Kaidës, grupit të dhunshëm që bëri sulmet terroriste në Nju Jork dhe Uashington para nëntë vjetësh.

“Kjo na bëri që të krijojmë ditën ndërkombëtare të djegies së Kuranit, për të nderuar ata që u vranë në atë kohë, si edhe për t’u dërguar një mesazh të qartë islamizmit se ne nuk do të tolerojmë nuk duam që ata të na imponojnë programin e tyre, ligjin e Sharias”.

I përndershmi Xhons thotë se esktremizmi islamik përbën një kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe botën. Por ai thotë se myslimanët e moderuar duhet të ndjehen të lirë të ushtrojnë besimin e tyre në vend. Ai thotë se mesazhi i kishës nuk është për të gjithë myslimanët.

“Ne nuk e shohim si akt dhune. Ne mendojmë se është një mesazh radikal. Megjithëse ata e konsiderojnë një libër të shenjtë, është thjesht një libër. Dhe ne e kemi bërë të qartë se nuk kemi urrejtje ndaj myslimanëve. Ne nuk e bëjmë këtë kundër myslimanëve por ligjit të Sharias”.

Në Afganistan, disa mendojnë se djegia i drejtohet myslimanëve kudo që janë. Qindra vetë u mblodhën në Kabul për të denoncuar Xhonsin dhe përdhosjen e Kuranit. Dhe komandanti më i lartë i forcave amerikane dhe NATO-s në Afganistan, Gjenerali David Petreas thotë se djegia e Kuranit mund t’i bëjë militantët islamikë që të ndërmarrin sulme të reja ndaj trupave perëndimore.

Në Florida, udhëheqësit myslimanë në një xhami po bëjnë thirrje për një përgjigje të matur. Instituti Darul Ulum në Pembroke Pines mblodhi besimtarët dhe udhëheqësit e besimeve të tjera për të diskutuar për planin e djegies së Kuranit. I përndershmi Renuik Bell është prift i një kishe aty pranë. Ai tha se shumë pak të krishterë do të përkrahnin djegien e Kuranit.

“Kur një prift bën diçka të tillë unë e shpërfill. Po, vërtet i nxeh gjakrat në botë, por mendoj se ai po vepron pa menduar, ose po përpiqet të fitojë publicitet”.

Udhëheqës të komuniteteve Hindu, budiste dhe hebraike ishin dakord. Imam Shaikh Shafayat Mohamed e organizoi aktivitetin për të konsoliduar mirëkuptimit mes besimeve të ndryshme. Ai tha se besimtarët duhet të dëgjonin mesazhin e udhëheqësve të tjerë fetarë që janë kundër djegies së Kuranit.

“T’u dërgojmë mesazhin se kjo nuk është diçka amerikane. Nuk është diçka e krishtere, as Hindu, as budiste, nuk është diçka hebraike. Xhons po i përfaqëson negativisht fetë e botës dhe amerikanët nga pikëpamja e tyre”.

Për shumë besimtarë, ideja e përdhosjes së Kuranit mund të ngjallë emocione të forta. Por Antoni Abdullah Sanpedro thotë se myslimanët dhe të tjerët duhet të punojnë për t’i tejkaluar këto ndjenja.

“Më indinjon por duhet të gjejmë një zgjidhje më të mirë. Djegia e Kuranit dhe zemërimi i myslimanëve nuk do t’i përmirësojë gjërat”.

Udhëheqësit e xhamisë thonë se veprime të tilla mund t’i bashkojnë besimet e ndryshme dhe të zbusin tensionet, të cilat ata thonë se do të provokohen nga djegia e Kuranit.

XS
SM
MD
LG