Lidhje

Opozita politike në Kirgizstan deklaron se ka marrë pushtetin

  • Zëri Amerikës

Opozita politike në Kirgizistan tha se ka marrë pushtetin pas një dite përleshjesh në një numër qytetesh ku u vranë të paktën 40 veta dhe u plagosën më tepër se 400.

Udhëheqësit e opozitës thanë të mërkurën mbrëma se po formonin një qeveri të përkohshme të kryesuar nga ish ministrja e Jashtëme Roza Otunbajeva. Ata thanë se kryeministri aktual, Danijar Usenov, kishte rënë dakord të dorëhiqej por pohimet e opozitës nuk janë konfirmuar nga burime të tjera.

Vendndodhja e saktë e presidentit kirgiz, Kurmanbek Bakijev nuk dihet. Disa anëtarë të opozitës thonë se ai është larguar nga kryeqyteti për në qytetin jugor Osh, ku ka bazën e tij të fortë politike.

Gjatë natës në kryeqytetin Bishkek vazhduan të shtënat sporadike. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, shumë ndërtesa janë ende në flakë. Njoftohet gjithashtu se njerëzit plaçkitën një shtëpi të familjes së Bakijevit.

Autoritetet konfirmuan 40 të vdekur ndërsa opozita thotë se numri i tyre është të paktën 100.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, P.J. Croulli tha se Uashingtoni "shpreh keqardhje për dhunën” dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të respektonin sundimin e ligjit.

Trazirat ngrejnë pikëpyetje rreth së ardhmes së bazës ajrore amerikane në Kirgizistan, e cila mbështet operacionet ushtarake në Afganistan. Pentagoni tha dje se baza është mbyllur për shkak të trazirave.

XS
SM
MD
LG