Lidhje

Kirgistan: Një bazë ushtarake amerikane në qendër të polemikave

  • Xhejms Bruk

Gjatë 6 muajve të fundit, Kirgistani ka përjetuar rrëzimin e një presidenti nga protestat popullore, qindra të vrarë nga dhuna ndëretnike mes besimtarëve të dy feve dhe nga rivaliteti mes dy politikanëve rajonalë. Tani, 200 parti janë duke zhvilluar fushatë për zgjedhjet parlamentare që janë në plan të mbahen më 10 tetor. Në mesin e këtyre trazirave politike, SHBA drejtojnë atje me qetësi një bazë ajrore, e cila furnizon një të tretën e operacioneve ajrore në Afganistan dhe është e vetmja bazë dhe më e madhja, ku zbresin ushtarët e koalicionit nga vendet e tyre, për të shkuar pastaj në Afganistan.

Për ushtarët amerikanë të divizionit 101, Qendra Ajrore Manas është një vend pritjeje e Amerikës në zemër të Azisë Qendrore. Dy orë më larg është destinacioni i tyre përfundimtar, fushat e betejës së Afganistanit. Cisternat nga Manasi furnizojnë avionët që shkojnë në Afganistan, duke eliminuar nevojën që ato të ulen në vendin malor.
Po ashtu, sulmet talebane ndaj autokolonave që kalojnë përmes Pakistanit, e bëjnë rrugën ajrore përmes Kirgistanit gjithnjë e më të vlefshme. Koloneli Duajt Sones është komandanti i Bazës në Manas.

“Kirgistani në vetvete është një vend tepër i vlefshëm i Azisë Qendrore, përsa i përket vendndodhjes dhe sferës së influencës me vendet përreth”.

Kirkizët dhe uzbekët etnikë u ndeshën në Osh, javën që koloneli Sones mbërriti në Manas, rreth 320 kilometra më tutje. Qindra persona u vranë. Në të kaluarën, pasionet politike të Kirgistanit janë kthyer kundër bazës amerikane.
Vitin e kaluar, parlamenti kirkiz votoi 78 pro dhe 1 kundër për largimin e amerikanëve. Uashingtoni e ndryshoi situatën, duke e katërfishuar qiranë vjetore, në 60 milionë dollarë. Alisher Khamidov është studjues nga Kirgistani:.

"Tani këto parti po acarohen përsëri dhe kërkojnë t’i dëbojnë amerikanët. Ata argumentojnë: Prania perëndimore është shkaku i të gjitha problemeve. Kam parë disa prej politikanëve që bëjnë thirrje për prishjen e bazës, me shpresën se Kirgistani do të rifitojë stabilitetin dhe sovranitetin.”

Po ashtu baza kundështohet nga rusët, të cilët e kanë patur vendin nën kontroll, nga viti 1876 e deri në vitin 1991, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik. Sot, Kirgistani është i vetmi vend i botës ku ka dy baza ushtarake, një amerikane dhe një ruse. Leonid Bondaret është këshilltar rus.

Ai thotë se baza amerikane u hap në vitin 2001 me kontratë të përkohëshme 1-vjeçare. Ai e sheh këtë si një plan afatgjatë amerikan për fuqizimin e pozicionit të vet në rajon, për të siguruar kontrollin e naftës dhe gazit në Azinë Qendrore dhe të mineraleve në Afganistan.

Rusia ka akoma mjaft ndikim në Kirgistan. Shumica e vendasve mbi 30 vjeç flasin rusisht. Një e pesta e punëtorëve punojnë në Rusi. Paratë që ata çojnë në vend nga Rusia jane një nevojë jetike për vendin e varfër me 5,3 milionë banorë.
Amerikanët në Manas janë duke punuar me të gjitha forcat për të fituar zemrat dhe mendjet e nejrëzve.

"Ne po ashtu i kushtojmë rendësi aspektit social-kulturor. Jashtë punës, pa uniforma, për të marrë pjesë në sporte të ndryshme me kirkizët, si volejboll, futboll, ose duke shkuar në koncerte në qytet. Këto veprimtari janë pjesë e krijimit të marrëdhënieve miqësore me vendasit,” thotë Koloneli Sones.

Në kryeqytetin Bishkek, analisti politik Valentin Bogatirev thotë se qëndrimet e kirkizëve ndaj bazës amerikane janë duke u zbutur. Ai thotë se politikanët e moderuar po fillojnë ta vlerësojnë bazën për kontributin që jep në buxhetin e vendit, për projektet e zhvillimit, modernizimin e aeroportit ndërkombëtar të Bishkekut dhe punësimin e 900 banorëve lokalë.

Pra, në politikën kirkize, që i ngjan një karuzeli, SHBA po përpiqen që në saje të vullnetit të mire dhe ndihmave, do të arrijnë synimin e tyre: ta mbajnë të hapur kalimin jetik për në Afganistan.

XS
SM
MD
LG