Lidhje

Sfidat e Kosovës dhe roli i UNMIK-ut


Sfidat e Kosovës dhe roli i UNMIK-ut
Sfidat e Kosovës dhe roli i UNMIK-ut

UNMIK-u në Kosovë duket sikur ka mbetur në mes të një fushe ku nga njëra anë ndodhet Këshilli i Sigurimit dhe nga ana tjetër autoritetet e qeverisë së Kosovës. Roli i UNMIK-ut ka ndryshuar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008, dhe ky mision tani merret më shumë me çështjen e pakicave dhe ndërmjetësimin mes qeverisë së Kosovës dhe vendeve që nuk e njohin atë, thotë shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier. I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë i bëri komentet për Zërin e Amerikës para takimit që mbahet sot në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, UNMIK-u e humbi pushtetin e tij përballë autoriteteve kosovare. Megjithatë, shefi i UNMIK-ut dhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Lamberto Zanier, thotë se misioni, i cili tani ka thuajse karakter politik, lehtëson marrëdhëniet e Kosovës me vendet që nuk e njohin atë.

“Kështu siç janë gjërat tani, vendet që nuk e njohin Kosovën duan që ne të jemi aty, dhe ata përdorin Këshillin e Sigurimit për të siguruar praninë tonë. Pra kjo është gjendja sot për sot.”

Zoti Zanier thotë se as vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk duket se ka ndikuar shumë në ndryshimin e qëndrimit politik të vendeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Mendoj se vendimi i Gjykatës nuk kishte ndonjë ndikim tek Këshilli i Sigurimit. Megjithatë, është e qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është i mirëpritur.”

Kohët e fundit, Beogradi ra dakort për herë të parë të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Prishtinën mbi çështje të interesit të përbashkët që nuk do të përfshinin statusin. Por me rënien e qeverisë së Kosovës dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, këto bisedime ende nuk dihet se si do të ecin dhe se çfarë çështjesh do të përfshihen në to.

“Nga zgjedhjet nuk pres rezultate që do ta bëjnë dialogun më të ndërlikuar; do habitesha nëse kjo do të ndodhte. Më duket se udhëheqja e Kosovës e sheh qartë rëndësinë e angazhimit, dhe përkrahësit kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës kanë të njëjtin mendim.”

Zoti Zanier e sheh dialogun që mund të zhvillohet mes Prishtinës dhe Beogradit si rrugë drejt prespektivës evropiane, si mënyrë e hapur ku mund të trajtohen çështjet për t’i zgjidhur ato sa më mirë të jetë e mundur, pra si skenar pozitiv që OKB-ja vetë e mirëpret.

Shefi i UNMIK-ut megjithatë tërheq vëmendjen tek çështja e pjesës veriore të Mitrovicës, për të cilën thotë se situata duhet trajtuar me kujdes për të mos krijuar mungesë stabiliteti në një periudhë afatgjatë.

“Mendoj se do të ishte e rrezikshme nëse përdoret rruga më e shkurtër për ta zgjidhur këtë çështje, sa për të krijuar situata de fakto në terren, pa përgatitjen dhe këshillimet e nevojshme. Kjo, në një periudhë afatgjatë mund të krijojë mungesë stabiliteti e ndoshta edhe krizë.”

Shefi i UNMIK-ut thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë konstruktive, çka do t’i jepte misionit të tij edhe një strategji për të dalë nga Kosova. OKB-ja, thotë ai, ka investuar shumë në vend dhe nuk synon të largohet duke lënë pas çështje të pazgjidhura. Zoti Zanier i bëri komentet gjatë një takimi në Universitetin Xhons Hopkins në Uashington.

XS
SM
MD
LG