Lidhje

Bukoshi: Të ringjallim frymën e Ibrahim Rugovës në LDK


Bukoshi: Të ringjallim frymën e Ibrahim Rugovës në LDK
Bukoshi: Të ringjallim frymën e Ibrahim Rugovës në LDK

Ministri aktual i shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Bujar Bukoshi, filloi sot fushatën e tij për të postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës me një konferencë për gazetarë në shtëpinë e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, që ishte edhe udhëheqësi historik i kësaj partie. Simbolikisht konferenca e zotit Bukoshi ishte porosi se ai kandidon me mbështetjen e familjes së presidentit të ndjerë Rugova, i biri i të cilit paralajmëroi ditë më parë përfshirjen në politikë në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Nga kjo shtëpi unë me bashkëpunëtorët e mi, simpatizuesit e mi dhe birin e presidentit, Ukë Rugova, ftojmë të gjithë anëtarët e LDK-së, simpatizuesit, anëtarët e dikurshëm që me hidhërim e braktisën LDK-në, të bashkohemi dhe së bashku ta ringjallim frymën e Ibrahim Rugovës dhe idenë themelore të LDK-së, që ishte afrimi i njerëzve dhe ndërtimi i Kosovës”.

Zoti Bukoshi, në fillim të viteve të 90-ta mori postin e kryeministrit të Kosovës në mërgim. Ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe për një kohë, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Por, marrëdhëniet ndërmjet tyre përjetuan një krizë gjatë fundit të viteve të 90-ta. Zoti Bukoshi tha sot se ky është një kapitull i mbyllur.

“Në raportet e mia me presidentin e ndjerë me të cilin e kemi bashkëthemeluar LDK-në, i cili ma ka besuar rolin e kryeministrit të parë të Kosovës dhe me të cilin kemi pasur bashkëpunim të ngushtë, është përfolur shumë. Nëse ka pasur mosmarrëveshje, ato kanë qenë rezultat i largësisë fizike nga mërgimi dhe i pamundësisë së komunikimit direkt gjatë viteve të okupimit. Sido që të jetë, ato keqkuptime kanë qenë të tejkaluara dhe janë të tejkaluara”.

Zoti Bukoshi është tash për tash kandidati i vetëm për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por nuk përjashtohet mundësia që edhe personalitete të tjera të kandidojnë për këtë post. Kjo do të varet nga vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth kandidaturës së presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili ka përkrahjen e një pjese të madhe të udhëheqjes aktuale të partisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës u nda në dy pjesë në vitin 2006, pas vdekjes së presidentit Rugova. Zoti Bukoshi tha sot se sa më shumë kandidatë që të ketë do të jetë më mirë për demokracinë e brendshme dhe nuk do të ketë përsëritje të zhvillimeve nga e kaluara. Zgjedhjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të përmbyllen më 23 dhjetor, në përvjetorin e themelimit të saj.

XS
SM
MD
LG