Lidhje

Vazhdojnë sfidat për refugjatët palestinezë në Liban

  • Hedhër Mërdok

Vazhdojnë sfidat për refugjatët palestinezë në Liban

Vazhdojnë sfidat për refugjatët palestinezë në Liban

Refugjatët palestinezë në Libanin verior kanë pritur për më shumë se tre vjet për kampin e tyre që të rindërtohet pasi u shkatërrua në betejat midis ushtrisë libaneze dhe militantëve islamikë. Ata i quajnë shtëpitë e përkohshme baraka apo kontenierë. Disa nga ndërtesat dy-katëshe janë bërë me beton dhe janë të zbukuruara. Të tjerat janë të ndërtuara me llamarinë.

"As kafshët nuk mund të jetojnë kështu. Duam të shkojmë në shtëpitë tona në kampin e vjetër".

Ahmed Abueid fut kokën në një nga dhomat prej metali që strehon gjashtë refugjatë palestinezë në rrethinat e kampit Nahr el-Bared në Libanin verior. Ai thotë se i kishin premtuar një shtëpi të re pasi shtëpia e tij u rafshua në vitin 2007.

Abueid është një nga rreth 30 mijë refugjatët palestinezë në Liban i zhvendosur nga lufta tre mujore mes ushtrisë libaneze dhe grupit radikal Fatah al-Islam që la 400 të vdekur dhe shkatërroi kampin. Shumë nga ndërtesat e kampit janë kthyer në rrënoja dhe kanë gjurmët e plumbave.

Në baraka, familjet e shpërngulura thonë se mbështeten tek agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë për sasi të vogla ushqimi dhe ilaçesh. Në qytetet fqinje, familjet e shpërngulura marrin 150 dollarë ndihma në muaj për të paguar qeranë.

Por Kombet e Bashkuara thonë se familjet e shpërngulura mund të mos marrin ndihma gjatë pak muajve të ardhshëm për shkak të mungesës së fondeve. Agjencia nuk ka qënë në gjendje të grumbullojë 18 milionë dollarët e nevojshëm për të dhënë këtë shërbim për vitin 2011.

Zëdhënësja e agjencisë Hoda Samra Souaibi thotë se nëse ndihma nuk vjen shpejt, familjet nuk do të marrin ndihma para fundit të vitit.

"Nëse nuk gjenden fonde, më shumë se 3,400 familje do të lihen pa ndihmë për të paguar qeranë dhe të gjitha operacionet e ndihmave do të ndalen. Por nuk mendoj se do të arrijmë në atë fazë dhe sigurisht që shpresojë që të mos ndodh kështu".

Apartamentet në baraka janë me shumë banorë dhe shpesh të infektuara me minj dhe insekte.

Vajzat adoleshente ndonjëherë detyrohen të ndajnë dhomat me vëllezërit e tyre, gjë që konsiderohet e turpshme për shumë palestinezë. Ata thonë se ushqimi, ilaçet dhe subvencionet e pakta që marrin nga Kombet e Bashkuara nuk janë të mjaftueshme dhe nuk ka vende pune.

Ata që gjejnë punë me kompanitë që rindërtojnë kampet thonë se paguhen pak dhe shpesh me vonesë.

Mahmoud Getavi është një refugjat i shpërngulur që punon në rindërtimin e kampit. Ai shpesh duhet të presë me javë për të marrë pagesën. Kur pyet për arsyen, kompania fajëson donatorët ndërkombëtarë që kanë premtuar fonde por nuk i kanë dhënë. Ndërtimi shpesh ndërpritet kur kompanitë nuk kanë para. Ai thotë se mendon se shtëpia e tij e re do të përfundojë kur fëmijët e tij, njëri prej të cilëve nuk ka lindur ende, do të jenë të rritur.

Kombet e Bashkuara llogarisin se gati 60 përqind e refugjatëve palestinezë në Liban janë të papunë. Edhe pse ka disa breza palestinezësh që jetojnë në Liban ata konsiderohen të huaj dhe kanë nevojë të kenë leje pune. Ata nuk lejohen të punojnë në shumë profesione, si mjekësi, inxhinieri dhe drejtësi.

XS
SM
MD
LG