Lidhje

SHBA shprehin mbështetje për Këshillin Kombëtar të opozitës libiane


SHBA shprehin mbështetje për Këshillin Kombëtar të opozitës libiane
SHBA shprehin mbështetje për Këshillin Kombëtar të opozitës libiane

Një diplomat i lartë amerikan tha dje se beson se figura të rëndësishme në regjimin e udhëheqësit libian Moamar Gadafi do të donin ta braktisnin këtë regjim, por qëndrojnë në Tripoli si rezultat i frikës dhe terrorit. Ambasadori amerikan në Libi, Xhin Krec thotë se ekziston një konsensus i përgjithshëm në vend se e vetmja zgjidhje për krizën është largimi i Gadafit nga skena.

Nuk ka pasur figura të larta të kampit të Gadafit që të kenë braktisur regjimin që kur Ministri i Jashtëm libian dhe ish-Shefi i Shërbimeve të Zbulimit Musa Kusa u arratis për në Britani afro një muaj më parë.

Por ambasadori amerikan Xhin Krec thotë se zyrtarët e Uashingtonit janë në kontakt të rregullt me zyrtarët e qeverisë së Tripolit. Ai thotë se të paktën disa zyrtarë libianë do të preferonin të ndiqnin shembullin e zotit Kusa, por i pengon frika.

"Këta janë njerëz që kryesonin agjenci, dhe zyrtarë të rangjeve të tjera. Ata do të donin të shkëputen, por kanë frikë për jetën. Kanë frikë për familjet e tyre. Prandaj nuk jam i bindur se situata aktuale mund të shihet si e pasuksesshme. Mendoj se situate e terrorit dhe frikës brenda Tripolit është aq e madhe, saqë njerëzit që njoh dhe shumë të tjerë që normalisht do të ishin shkëputur nga Gadafi, ende nuk e bëjnë këtë pikërisht për këto arsye”.

Zoti Krec thotë se një dorë e mirë nga pjesëtarët e familjes Gadafi dhe anëtarë të njësive ushtarake dhe të sigurimit, të afërt me Gadafin kanë vendosur të bëjnë qëndresë deri në pikë të fundit përkrah udhëheqësit libian, pasi nuk mendojnë se kanë alternativë për një të ardhme tjetër.

Ai thotë se përpjekjet amerikane dhe goditjet ushtarake të NATO-s gjatë ditëve të fundit kundër elementëve të qeverisë së Tripolit synojnë pjesërisht të përshpejtojnë largimin e figurave të luhatura të qeverisë:

"Veprimet që po ndërmarrim me partnerët e koalicionit, ato që pamë ditët e fundit në operacionet kundër qendrave komanduese dhe të kontrollit në Tripoli, shpresojmë se do të përcjellin mesazhin se po afron me shpejtësi koha, kur duhet marrë një vendim. Ata duhet të marrin një vendim nëse do të fundosen me anijen, apo do të braktisin këtë regjim dhe të bëjnë një zgjedhje për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre”.

Ambasadori u detyrua të largohej nga Libia në dhjetor, pas publikimit nga Wikileaks të dokumentave që faqja elektronike pretendon se ishin marrë nga komunikime sekrete të personelit të ambasadës që e përshkruanin me nota negative Moamar Gadafin. Ambasada amerikane u mbyll në shkurt, pasi filloi konflikti civil.

Ambasadori thotë se ai dhe stafi i tij vazhdojnë kontaktet me libianë në zona nën kontrollin e kryengritësve si dhe të qeverisë. Përshtypja e përgjithshme, thotë ai, është se përfundimi i krizës kërkon largimin e Gadafit nga posti.

Zoti Krec thotë se numri i përgjithshëm i të vrarëve gjatë 2 muaj luftimesh në Libi mund të jetë deri në 30 mijë vetë, megjithëse shifra e saktë mund të mos dihet deri në përfundim të konfliktit.

Ambasadori e cilëson Këshillin Kombëtar Tranzitor të opozitës “një organizëm politik, që meriton përkrahjen e Ameirkës”. Por ai thotë se Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të ndjekin rolin e Italisë, Francës dhe Katarit për të njohur këshillin si autoritetin legjitim të Libisë.

XS
SM
MD
LG