Lidhje

Libi: Kryengritësit marrin nën kontroll një pikë kufitare pranë Tunizisë

  • Eduard Jeranian

Libi: Kryengritësit marrin nën kontroll një pikë kufitare pranë Tunizisë

Libi: Kryengritësit marrin nën kontroll një pikë kufitare pranë Tunizisë

Kryengritësit libianë kanë marrë nën kontroll një pikë të largët kufitare pranë Tunizisë në një fitore të rrallë të ditëve të fundit kundër trupave qeveritare. Dëshmitarët thonë se disa qindra luftëtarë besnikë të udhëheqësit libian Moamar Gadafi u përpoqën të shpëtonin nga fushë-beteja duke kaluar kufirin në Tunizi.

Një kryengritës i tha televizionit Al Jazeera se bashkëluftëtarët e tij kishin rrethuar pikën kufitare gjatë natës dhe e kishin vënë nën kontroll pas luftimesh të ashpra, siç i përshkroi ai. Disa qytete pranë kufirit, sipas njoftimeve, po bombardohen nga artileria e forcave të Gadafit.

Qyteti i rrethuar i Misratës, një pjesë e të cilit është nën kontrollin e kryengritësve vazhdon të bombardohet nga predha, raketa dhe mortaja nga forcat pro-qeveritare. Njoftimet perëndimore bëjnë të ditur se një numër njerëzish ishin vrarë dhe plagosur nga bombardimet.

Katër fotoreporterë perëndimorë u goditën nga granata, ndërkohë që ndiqnin luftimet në rrugë në bulevardin kryesor të Misratës të mërkurën në mbrëmje. Dy nga gazetarët, përfshirë edhe regjisorin e suksesshëm britanik Tim Hetherington, u vranë nga copëza predhash pas një shpërthimi.

Zëdhënësi i qeverisë libiane Musa Ibrahim përgënjeshtroi njoftimet se forcat qeveritare kishin pasur në shenjestër gazetarët dhe këmbënguli se kishin pasur në shenjestër vetëm objektivat armike:

"Na vjen keq për çdo humbje jete. Na vjen keq edhe për kryengritësit e vrarë dhe e kemi thënë që dëshirojmë të ndalin luftimet në mënyrë që askush të mos vdesë. Nuk vrasim asnjeri që s’është kundër nesh. Duhet të analizojmë rrethanat në të cilat u vranë gazetarët. Ka raste kur njerëzit vriten nga njëra palët, ka raste kur vriten nga pala tjetër, ka raste kur janë viktima të rastit. Duhet të analizojmë rrethanat. Por pa dyshim, na vjen keq për çdo viktimë”.


Ndërkohë që vazhdojnë luftimet, grupet e ndihmave vazhdojnë të evakuojnë popullatën nga Misrata. Zhon-Filip Shozi, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin thotë se qindra aktivistë të huaj dhe disa libianë do të evakuohen së shpejti:

"Fillimisht mendonim se kishte rreth 6 mijë vetë në zonën përreth portit në Misrata, në nevojë evakuimi humanitar. Deri tani kemi evakuuar rreth 3100 vetë dhe ka rreth 900 vetë të tjerë që janë evakuuar nga një anije turke. Pra duhet të kenë mbetur edhe disa mijëra banorë. Por me sa dëgjojmë, njerëzit kanë mësuar se po bëhen evakuime dhe më shumë vetë janë mbledhur në zonën e portit për të kërkuar ndihmë për evakuiim”.

Televizioni shtetëror libian tregonte pamje të zonave civile pranë kryeqytetit Tripoli, që sipas njoftimeve të tij ishin bërë objekt i sulmeve të NATO-s. Goditjet ajrore sipas këtyre njoftimeve, kanë vrarë 7 vetë dhe kanë plagosur 18 të tjerë.

Komandanti i operacioneve të NATO-s në Libi, Gjenerali kanadez Çarls Bushard u bëri thirrje civilëve të qëndrojnë larg forcave të Gadafit për të mbrojtur jetën e vet.

XS
SM
MD
LG