Lidhje

Italia kërkon pezullimin e luftimeve në Libi


Italia kërkon pezullimin e luftimeve në Libi
Italia kërkon pezullimin e luftimeve në Libi

Kryeministri Italian Silvio Berluskoni është ndeshur me presion në rritje nga Liga Veriore, aleatja shumë e rëndësishme e partisë së zotit Berluskoni, për të caktuar datën për tërheqje nga Libia. Ministri i Jashtëm Italian Franko Fratini bëri dje komente për operacionet ushtarake të udhëhequra nga Nato.

Kryeministri italian Silvio Berluskoni është përpjekur të ruajë koalicionin ndërkohë që partnerja në koalicion, Liga Veriore po shfaq acarim në rritje. Liga ka kërkuar me ngulm t’i jepet fund angazhimit të Natos në Libi. Po ashtu ajo kërkon edhe zgjidhjen e problemit të immigrantëve libianë që vazhdojnë të mbërrijnë në bregdetin italian.

Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini foli dje mbi konfliktin në Libi. Ai foli në veçanti për nevojën e ndihmës humanitare për popullatën civile në këtë vend të Afrikës Veriore.

Zoti Fratini i bëri komentet para një komisioni të parlamentit italian. Zëdhënësi i tij Mauricio Masari më pas prezantoi qëndrimin e Ministrit të Jashtëm italian në një intervistë për televizionin Al Xhazira:

"Ministri Fratini theksoi se nëse bëhet apel nga organizata ndërkombëtare si Bashkimi Afrikan, Liga Arabe, BE, OKB për një pauzë humanitare në mënyrë që të lejohet qasje e pandalur dhe e pakufizuar për ndihmat humanitare dhe shëndetësore për popullatën civile, Italia do ta marrë në shqyrtim me interes një apel të tillë. Por që të ndodhë një gjë e tillë, do të na duhej një konsensus i gjerë ndërkombëtar, konsensus me partnerët tanë në Nato dhe të gjithë partnerët e grupit të kontaktit”.

Ndihma është veçanërisht e nevojshme për zona si Misrata dhe përreth kryeqytetit libian, Tripoli. Ndërkohë që Italia thekson nevojën e një pauze në mes të konfliktit, Franca dhe Britania kanë tjetër mendim.

Fushata e bombardimeve e udhëhequr nga Nato filloi në mars me synimin për të mbrojtur civilët në bazë të një rezolute të Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Anders Foh Rasmusen thotë se operacionet ushtarake në Libi do të vazhdojnë. Ai tha se nëse këto operacione ndërpriten, një numër i pallogaritshëm civilësh do të humbnin jetën.

Zoti Rasmusen shprehu keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të civilëve në këtë konflikt. Por ai shtoi se konflikti filloi nga qeveria e Moamar Gadafit, e cila filloi të sulmonte shtetasit e vet, dhe jo nga Nato.

XS
SM
MD
LG