Lidhje

NATO: Nuk mund të konfirmojmë vrasjen e djalit të Gadafit


Saif al-Arab
Saif al-Arab

NATO-ja thotë se kishte ndërmarrë dje goditje ajrore mbi Tripoli, por nuk mund të konfirmonte njoftimet se një nga goditjet kishte lënë të vrarë djalin e udhëheqësit libian Moamar Gadafi dhe tre nipave të tij.

Lejtnant Gjenerali i NATO-s Çarls Bushard tha se forcat aleate kishin goditur një ndërtesë që përdorej për komandimin e operacioneve në Tripoli, por shtoi se trupat e tij nuk kanë në shenjestër individë. Ai tha se NATO-ja shpreh keqardhje për humbje jetësh, sidomos të civilëve.

Ndërkaq, Bengazi, qendra e kryengritjes libiane ushtonte mbrëmë nga të shtënat në ajër dhe boritë e makinave, ndërkohë që banorët dhe kryengritësit festonin lajmin e zëdhënësit të qeverisë se një goditje e NATO-s kishte vrarë një nga djemtë e Moamar Gadafit.

Zëdhënësi Musa Ibrahim tha se tre nga nipat e Gadafit ishin vrarë gjithashtu gjatë sulmit të djeshëm në shtëpinë e të birit në Tripoli. Po sipas zëdhënësit, Moamar Gadafi dhe e shoqja ishin në atë shtëpi në momentin e sulmit, por nuk ishin dëmtuar.

Zoti Musa tha se goditja la të vrarë 29-vjeçarin Saif Al-Arab Gadafi, dhe shkaktoi plagosjen e disa personave të tjerë që ishin në atë ndërtesë. Zëdhënësi i qeverisë e cilësoi incidentin një përpjekje të drejtpërdrejtë për të vrarë Gadafin. Megjithatë, nuk ka pasur reagime nga NATO lidhur me këtë sulm.

Gazetarët u lejuan t’i afrohen shtëpisë që u sulmua dhe ata raportuan se kishin parë dëme të përgjithshme.

Më parë dje, NATO hodhi poshtë një ofertë nga Moamar Gadafi për negociata në mënyrë që të ndalet konflikti në vend. NATO-ja thotë se kërkon vepra dhe jo fjalë nga udhëheqësi libian.

XS
SM
MD
LG