Lidhje

NATO dërgon helikopterë sulmues në mbështetje të operacioneve në Libi


NATO dërgon helikopterë sulmues në mbështetje të operacioneve në Libi
NATO dërgon helikopterë sulmues në mbështetje të operacioneve në Libi

Sekretari i Jashtëm britanik Uilliam Hejg u takua me kreun e kryengritësve libianë dje në Bengazi, pas dislokimit të helicopterëve sulmues në Libi nga Aleanca e NATO-s. Ndërkaq, në Siri dëshmiarët thonë se tanket siriane kanë sulmuar qytetin verior Xhisr al-Shughur.

Ishte hera e parë që NATO-ja përdorte helikopterë sulmues në Libi dhe dislokimi i tyre përkoi me vizitën e Sekretarit të Jashtëm britanik Uilliam Hejg në Bengazi. Zoti Hejg u takua me udhëheqësin e kryengritësve Mustafa Abdel-Xhalil, i cili përshëndeti dislokimin e helikopterëve:

Zoti Abdel-Xhalil tha se përdorimi i helikopterëve britanikë Apache dhe helikopterëve të tjerë ushtarakë nga vendet e tjera të NATO-s është pjesë e masave të nevojshme për të mbrojtur civilët në përputhje me rezolutën 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Ai shtoi se kryengritësit mirëpresin çdo masë që do të përshpejtonte largimin e Kolonel Moamar Gadafit dhe qeverisë së tij.

Katër helikopterë Apache, nga aeroplambajtësja britanike HMS Ocean sulmuan një njësi radarësh dhe makina ushtarake që u përkisnin forcave besnike të zotit Gadafi në qytetin bregdetar Brega. Avionët e NATO-s sulmuan gjithashtu objekte në dhe përreth Tripolit.

Sekretari i Jashtëm britanik Hejd tha se përdorimi i helikopterëve luftarakë është i justifikueshëm:

"Për sa kohë që Gadafi vazhdon të abuzojë popullin e tij, ne do të vazhdojmë dhe do të intensifikojmë përpjekjet tona për ta ndalur. Dërgimi i helikopterëve Apache do ta intensifikojë ndjeshëm presionin e NATO-s mbi forcat e regjimit libian”.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, ndërkaq shprehu shqetësimin se operacionet e NATO-s në Libi po precipitonin drejt një lufte tokësore gjë që e cilësoi si problematike. Megjithatë, Sekretari britanik i Mbrojtjes Liam Foks argumentoi se përdorimi i helikopterëve është një zhvillim normal i konfliktit.

"Përdorimi i helikopterëve sulmues është një avancim i logjikshëm i operacioneve që po bëjmë prej kohësh. Kemi pasur avionë në veprim. Tani kemi mundësinë të godasim objekte të reja që më parë nuk i godisnim dot. Për shembull një ditë më parë arritëm të godasim një pikë ushtarake dhe një njësi radarësh përmes një koordinimi të kujdesshëm me NATO-n”.

Në Siri, videot e një faqeje elektronike të opozitës tregonin një ceremoni funebre që po zhvillohej dje në Hama me pjesëmarrjen e mijëra vetëve që hidhnin parulla anti-qeveritare. Grupe për të drejtat e njeriut thonë se të paktën 63 vetë gjetën vdekjen kur forcat e sigurimit hapën zjarr ndaj protestuesve në Hama dhe qytete të tjera të premten.

Kanalet satelitore arabe po njoftojnë se tanket qeveritare kanë sulmuar qytetin verior Xhisr al-Shughur. Dëshmitarët në faqen Facebook njoftuan se në qytet ishte ndërprerë energjia elektrike dhe snajperët po qëllonin njerëzit në rrugë. Televizioni Al-Arabija citoi dëshmitarë, sipas të cilëve qeveria përdori helikopterë për të sulmuar protestuesit.

Televizioni shtetëror sirian këmbëngul se trazirat janë të kurdisura nga jashtë kundër forcave të sigurimit dhe stabilitetit në vend. Po sipas burimeve qeveritare, banda të armatosura kanë sulmuar forcat e sigurimit duke lënë të vrarë 20 vetë. Televizioni shtetëror fajësoi gjithashtu median e huaj se shtrembëron të vërtetën dhe manipulon shikuesit.

Ndërkaq, shërbimi i internetit është kthyer në të gjithë Sirinë që dje, pas ndërprerjeje të shumta në vend të premten.

XS
SM
MD
LG