Lidhje

Thirrje nga senatorë amerikanë për mbështetje të lëvizjeve demokratike


Kris Kuns
Kris Kuns

Senatorë amerikanë nga të dyja partitë politike kanë bërë thirrje për mbështetje më të madhe për opozitën siriane në këtë periudhë të vështirë për këto forca. Por senatorët theksuan se kjo mbështetje do të përjashtonte ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake.

Pas sulmeve dhe fushata të përgjakshme disa ditore nga forcat siriane të sigurimit kundër civilëve, ligjvënësit amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë mbështetje më të madhe për ata që kundërshtojnë Presidentin Bashkar Al Asad. Senatori republikan Mark Kirk nga Ilinoi foli në emisionin “Face the Nation” të rrjetit CBS.

"Ne duhet të përdorim kapitalin tonë diplomatik dhe autoritetin e Shteteve të Bashkuara për të minuar diktaturën siriane. Mendoj se po përjetojmë fundin e ngadaltë të diktaturës së Asadit dhe duhet të qëndrojmë përkrah popullit sirian”.

Senatorit Kirk iu drejtua pyetja nëse parashikon një rol ushtarak për Shtetet e Bashkuara në Siri, të ngjashëm me përpjekjet amerikane në Libi.

"Jo, mendoj se ushtria amerikane është aktualisht tejet e ngarkuar me 4 misione të ndryshme në Irak, Afganistan, Libi dhe Japoni. Por fuqia dhe autoriteti diplomatik i Amerikës mund të shërbejnë si një burim i madh fuqie dhe përkrahjeje politike për opozitën siriane”.

Kësaj pikëpamjeje i bëri jehonë edhe senatori demokrat Riçard Blumental:

"Duhet të nxisim lëvizjen demokratike në Siri, por njëkohësisht të shmangim çdo gjë që i përngjan një angazhimi pa afat. Pa diskutim nuk bëhet fjalë për trupa tokësore”.

Senatori Blumental tha se shpreson që zhvillimet në Siri të përfundojnë si ato në Egjipt, ku Hosni Mubarak hoqi dorë nga pushteti pa ndërhyrje nga jashtë, dhe jo si zhvillimet aktuale në Libi, ku udhëheqësi Moamar Gadafi ende mban pushtetin, megjithë fushatën ajrore të udhëhequr nga NATO-ja.

Po në komentet për rrjetin CBS, Senatori demokrat Kris Kuns tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të luajnë një rol konstruktiv, por të kufizuar në nxitjen e ndryshimeve demokratike në Lindjen e Mesme.

"Amerika është më e sigurtë dhe më e fortë kur udhëheq duke pasur parasysh vlerat. Vlerat tona janë vërtetë domethënëse për popujt e tjerë të botës, kur ne ngremë zërin në mbështetje të demokracisë dhe atyre që kërkojnë një rol më të madh në vendet e tyre. Mendoj se e kemi realizuar këtë në një mënyrë që po e shtyn Lindjen e Mesme në drejtim pozitiv dhe jo drejt pikëpamjeve të al-Kaidës, por drejt një vulleti për angazhim në shekullin e 21”.

Disa ligjvënës po bëjnë thirrje për përpjekje më agresive ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund sundimit të Gadafit në Libi. Por Senatori Kuns theksoi nevojën për durim, duke thënë se strategjia e presionit ushtarak dhe ekonomik kërkon kohë para se të japë rezultate.

XS
SM
MD
LG