Lidhje

Donilon përgatitet për takim me përfaqësuesit e opozitës libiane


Donilon përgatitet për takim me përfaqësuesit e opozitës libiane
Donilon përgatitet për takim me përfaqësuesit e opozitës libiane

Përfaqësues të Këshillit Kombëtar Kalimtar të Libisë do të vizitojnë sot Shtëpinë e Bardhë. Përfaqësuesit e kryengritësve libianë do të zhvillojnë bisedime me këshilltarin e presidentit për sigurimin kombëtar, Tom Donilon:

Shtëpia e Bardhë ka nxjerrë një deklaratë të shkurtër ku thuhet se Këshilltari i Sigurimit Kombëtar Tom Donilon do të takohet sot pasdite me Dr. Mahmud Xhibril, i cili kryeson një delegacion të Këshillit Kombëtar Kalimtar.

Nuk ka shenja se Presidenti Barak Obama ka në plan të marrë pjesë në takim, megjithëse zëdhënësi Xhej Karni la një mundësi hapur, kur tha se nuk e kishte të sigurtë nëse do të merrnin pjesë edhe zyrtarë të tjerë në takim.

Zëdhënësi Karni tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë këshillin një përfaqësues të besueshëm dhe legjitim të popullit libian dhe opozitës së udhëheqësit Moamar Gadafi. Por në përgjigje të një pyetjeje nga një gazetar, ai tha se Uashingtoni beson se është ende herët për njohje zyrtare të këshillit nga Shtetet e Bashkuara.

"Ne i vlerësojmë deklaratat që ka bërë Këshilli Kombëtar Kalimtar se do të heqë dorë nga dhuna, do t’i kthejë shpinën al-Kaidës dhe se do të përqafojë reforma demokratike. Por nëse bëhet fjalë për të njohur këtë Këshill si qeverinë zyrtare të Libisë, mendoj se ky do të ishte hap i parakohshëm”.
Britania ftoi këtë javë opozitën libiane të hapte një zyrë në Londër, një vendim që u deklarua nga kryeministri Dejvid Kameron pas takimit që zhvilloi me kreun e Këshillit Kombëtar Kalimtar.

Delegacioni i kryengritësve libianë që ndodhet për vizitë në Uashington u takua me senatorin Xhon Keri, kryetar i Komisionit të Sentit për Marrëdhënie me Jashtë. Zoti Keri tha se po harton një projekt-ligj që do t’u jepte mundësi kryengritëse të shfrytëzonin pasuritë e ngrira të udhëheqësit libian Moamar Gadafi, pasi këto pasuri t’i transferoheshin Këshillit Kalimtar.

Në konferencën e djeshme për shtyp, zëdhënësit Xhej Karni iu drejtua pyetja nëse këshilltari i Sigurimit Kombëtar Donilon do të diskutonte mbi kërkesat specifike të kryengritësve libianë, përfshirë furnizimin me armë.

"Zoti Donilon shkon në takim për të dëgjuar dhe e mirëpret këtë mundësi që të dëgjojë çfarë do të thotë zoti Mahmud Xhibril mbi një gamë të gjerë çështjesh. Ky është një takim i rëndësishëm, por nuk kemi konkretisht ndonjë politikë specifike që mund ta deklarojmë në këto momente”.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë vazhdon të flasë në terma shumë të përgjithshme lidhur me fjalimin e rëndësishëm që Presidenti Obama do të mbajë mbi ndryshimet politike dhe kryengritjet popullore në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Zëdhënësi Karni u tha gazetarëve se fjalimi nuk i drejtohet vetëm botës myslimane. Ai tha se zoti Obama do të flasë për ndryshimet domethënëse që kanë përfshirë rajonin brenda një periudhe të shkurtër.

Lidhur me dhunën që vazhdon kundër protestuesve, veçanërisht në Siri dhe Libi, zëdhënësi i presidentit u bëri thirrje të gjitha qeverive në rajon të shmangin dhunën dhe të angazhohen në dialog me popullatat e tyre për reforma politike.

Zëdhënësi Karni e përmblodhi mesazhin që ai tha se Uashingtoni po u dërgon qeverive në rajon dhe që pritet të përfshihet edhe në fjalimin e zotit Obama, me fjalët se “shtypje të mëtejshme do të çojnë në destabilitet më të thellë dhe më të madh”.

XS
SM
MD
LG