Lidhje

Keri: Pasuritë e ngrira të Gadafit duhet të përdoren nga Këshilli Kalimtar


Keri: Pasuritë e ngrira të Gadafit duhet të përdoren nga Këshilli Kalimtar
Keri: Pasuritë e ngrira të Gadafit duhet të përdoren nga Këshilli Kalimtar

Kreu i Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë thotë se ndërkohë që operacionet e udhëhequra nga NATO-ja kanë mbrojtur popullin libian nga fushata e Gadafit, po hartohen plane për epokën pas-Gadafit. Senatori Xhon Keri i bëri komentet para gazetarëve në Kapitol, pasi zhvilloi një takim me një udhëheqës të Këshillit Kombëtar Kalimtar të Libisë.

Senatori Keri thotë se faza e parë e ndërhyrjes ndërkombëtare ushtarake në Libi ishte sukses:

"Kemi arritur sukses në misionin fillestar, i cili ishte të parandalohej masakrimi i civilëve nga Kolonel Gadafi në terren”.

Senatori demokrat nga Masaçusetsi i bëri komentet përkrah një udhëheqësi të Këshillit Kombëtar Kalimtar të Libisë, Mahmud Xhabril.

Megjithëse rrëzimi i Moamar Gadafit nuk është arritur ende, Senatori Keri nënvizoi se këshilli po përgatitet për të ardhmen:

"Këshilli kalimtar ka ngritur kornizën për një Libi demokratike pas Gadafit. Por ky këshill pa dyshim ka nevojë për ndihmë për ta arritur këtë. Kolonel Gadafi ka shtypur në mënyrë sistematike institucionet qeveritare dhe shoqërinë civile. Do të jetë e nevojshme të rindërtohen të gjitha këto në mënyrë që të ketë një demokraci funksionale”.


Zoti Xhabril e mori fjalën pas senatorit:

"Ne deklaruam në ditën e parë të kryengritjes në Libi se ëndrra dhe vizioni ynë ishte të ndërtonim një Libi demokratike bazuar në një kushtetutë, të drejtat e njeriut dhe një shoqëri civile shumë active”.

Por zoti Xhabril shtoi se nevojat e popullit libian janë të mëdha:

"Ata civilë kanë nevojë për çdo formë ndihme të imagjinueshme. Ata kanë nevojë për strehim, ushqim, ilaçe. Në Libi, pas rrëzimit të regjimit duhet të punojmë për ripajtim social të të gjitha formave, një formë konsensusi kombëtar që duhet të shprehet qartë për të mundësuar atmosferën e duhur për rindërtimin e vendit”.


Për këtë qëllim, zoti Xhabril bëri thirrje për hapjen e mundësive për të shfrytëzuar pasuritë e ngrira të Moamar Gadafit. Senatori Keri tha se po përgatit një projekt-ligj për të autorizuar transferimin e këtyre pasurive tek Këshilli Kombëtar Kalimtar, duke shprehur shpresën për një miratim të shpejtë të ligjit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhej Karni nuk pranoi të bënte komente lidhur me të dhënat e zbulimit amerikan mbi vendndodhjen e Kolonel Gadafit apo gjendjen e tij fizike, por theksoi se Gadafi duhet të largohet nga pushteti.

XS
SM
MD
LG