Lidhje

Faktorët që diktojnë në suksesin e zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi

  • Andre Neshnera

Faktorët që diktojnë në suksesin e zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi

Zyrtarë perëndimorë ushtarakë thonë se zona e ndalim-fluturimit mbi Libi është krijuar me sukses. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera analizon faktorët e duhur për të zbatuar një zonë të tillë dhe ngre pyetjen se cilat janë hapat pasues.

Koalicioni ndërkombëtar po vepron në bazë të një rezolute të Kombeve të Bashkuara, që autorizoi krijimin e zonës së ndalim-flutimit për të parandaluar udhëheqësin libian, Moamar Gadafi që të përforë forcat ajrore kundër popullsisë, që është organizuar në kryengritje kundër tij. Rezoluta autorizon gjithashtu vendet anëtare që të "ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm" për të mbrojtur civilët dhe zonat e banuara nga civilët, që kërcënohen nga sulme të tilla.

Ekspertët thonë se koalicioni ka zbatuar tashmë me sukses rezolutën për krijimin e zonës së ndalim-fluturimit mbi hapësirën ajrore të Libisë. Ata thonë se forcat ajrore të Kolonel Gadafit janë bllokuar në tokë dhe sistemet e tij të mbrojtjes ajrore pothuajse janë shkatërruar plotësisht.

Por Ward Carroll, ish specialist radarësh i marines amerikane, i cili ka marrë pjesë në zbatimin e zonës së ndalim-flutirimit mbi Irak dhe Bosnje, thotë se krijimi i zonës së ndalim-flutirimit është shumë më e lehtë se sa ruajtja e saj.

"Le të mendojmë se zbatimi i zonës do të bëhet pa pushim, 24 orë në ditë 7 ditë të javës. Dhe mund të them që kjo është e nevojshme për të qënë plotësisht të efektshëm. Tradicionalisht, libianët nuk kanë kryer fluturime gjatë natës, pra koalicioni mund ta pakësojë nivelin e operacioneve pas muzgut, por ende do të ketë nevojë për aeroplanë paralajmërues, aeroplanë që mbështesin operacionet kryesore, aeroplanë të gatshëm për të vepruar në rast se forcat pro-Gadafit kryejnë fluturime dhe vazhdojnë të sulmojnë forcat kryengritëse pas rënies së natës".

Zoti Carroll thotë se pajisjet ushtarake të nevojshme për të patrulluar me sukses zonën e ndalim-fluturimit përfshijnë shumë më tepër se sa aeroplanët luftarakë.

"Bëhet fjalë për të gjitha pajisjet që mbështesin këta aeroplanë, aeroplanët luftarakë Harrier dhe helikopterët Cobra; gjithashtu aeroplanmbajtëse, që bëjnë të mundur operacionet e tyre. Pra, bëhet fjalë për një operacioni masiv, pa përmendur këtu gjithë strukturën e komandës dhe kontrollit".

Madje, thotë zoti Carroll, vetë operacionet janë shumë të kushtueshme.

"Kostoja e valës fillestare të sulmeve ajrore kap shifrën e 1 miliardë dollarëve. Pastaj kushton nga 100 milion deri në 300 milion dollarë në javë që të mbahet në fuqi zona e ndalim-fluturimit".

Por megjithë operacionet dhe koston e tyre, analistët thonë se ka pak prova që sulmet ajrore të koalicionit kundër forcave të Gadafit t’i kanë parandaluar këto të fundit të sulmojnë civilët.

Ish gjenerali i forcave ajrore, Mike Dunn ka qënë në krye të komandës së forcave patrulluese në zona të ndalim-fluturimeve.

"Nëse misioni ka për qëllim atë që ne shikojmë, pra mbrojtjen e libianëve civilë, atëhere mbrojtja e tyre me anë të aeroplanëve tanë përbën vetëm një pjesë të misionit. Pjesa tjetër e misionit është mbrojtja e tyre nga forcat libiane të këmbësorisë. Dhe ky mission ndryshon shumë nga misioni ajror, gjë që nuk e kemi pare ende dhe është shumë më i vështirë".

Marc Ginsberg, ish ambassador amerikan në Marok, është dakord me ata analistë që thonë se forca ajrore ka kufijtë e saj.

"Dilema e vërtetë është se, ndërsa është krijuar me sukses zona e ndalim-fluturimeve, luftimet po zhvillohen në zonat urbane, dhe nuk do të ndalohen dot predhat e tankeve kundër bazave të opozitës. Krijimi i zonës së ndalim-fluturimit ishte një ide shumë e mirë para 3 javësh, por nuk është më një aspekt i përpjekjeve për të parandaluar një sfidë humanitare, pavarësisht se ku ndodhen njerzit në Libi".

Prandaj, tani shtrohet pyetja, thonë ekspertët: A do të jenë forcat e këmbësorisë të nevojshme për të ndalur viktimat civile?

Jo forcat amerikane, thotë ish ambasadori Ginsberg. Franca, thotë ai, ishte më e interesuar ta fillonte konfliktin me Gadafin, prandaj forcat franceze duhet ta vazhdojnë atë.

Shumë analistë, si Ward Carroll, thonë se, pas luftërave në Irak dhe Afganistan, në Shtetet e Bashkuara nuk ekziston vullneti politik për të dërguar trupa tokësore në Libi.

"Kjo mungesë vullneti politik shoqërohet me anën financiare. Shtetet e Bashkuara, të përballura me deficit dhe papunësi të lartë, nuk kanë fondet e duhura që të angazhohen në këtë konflikt për një kohë të gjatë. Megjithatë, mbetet për t’u pare se ç’do të bëhet".

Por megjithë këto vështirësi, specialisti i radarëve Carroll thotë se kur vriten njerëz të pafajshëm, populli amerikan nuk dëshiron të qëndrojë indiferent.

XS
SM
MD
LG