Lidhje

Vullnetarët rigjallërojnë lumin Los Anxheles


Mijëra vullnetarë u mblodhën ditët e fundit në lumin e Los Anxhelesit, për një pastrim vjetor të ujërave të tij. Shumë banorë e njohin lumin si një kanal kullues me shtrat betoni. Por është duke u bërë një përpjekje e madhe për ta rikthyer atë në gjendjen e tij natyrore.

Në këto kanale të mbrojtjes nga përmbytjet rrjedh lumi Los Anxheles. Në pjesën më të madhe të vitit, ai është i tharë, por gjatë shirave të dimrit lumi rikthehet në jetë i fuqishëm. Çdo prill, ndërkohë që niveli i ujit bie, vullnetarë si Sigita Saliklis pastrojnë të gjitha mbeturinat që bllokohen mes bimëve gjatë dimrit të kaluar.

"Ndoshta 99 për qind e tyre janë qese plastike. Pjesa tjetër janë kavanozë metalikë dhe gota plastike."

Por ka edhe objekte më të mëdha, thotë vullnetarja Julie Colomes.

"Tuba gome, pjesë biçikletash, dyshekë, si dhe rroba, përfshi disa palë pantallona. Pra, ka vërtet shumë gjëra dhe unë jam e kënaqur që është duke u pastruar."

Kafshët po rikthehen, thotë Senatori i shtetit të Kalifornisë Kevin de León, i cili mbështet përpjekjet për ripërtëritjen e lumit.

"Mund të shihen zogjtë e bukur që rrinë përreth lumit, dhe duket se ata nuk kanë ndër mend të presin për vendime politikanësh, qoftë të nivelit lokal, shtetëror apo federal. Natyra po ringjallet mbi këtë beton."

Elementë të lumit krijojnë një sistem pastrues natyror, thotë Melanie Winter e grupit të mjedisit Projekti për Lumin.

"Përbërja e tokës, bimët.., të gjithë këta elementë ndihmojnë mjaft në pastrimin e ujit, dhe përfitimet e këtij procesi vazhdojnë për një kohë të gjatë".

Pastrimi i lumit të Los Anxhelesit është pjesë e një përpjekjeje kombëtare për të zbukuruar Amerikën. Paul Racs është koordinatori lokal.

"Në të gjithë vendin, ka mijëra vullnetarë që po marrin pjesë në pastrimin e mjediseve të përbashkëta dhe në programet e zbukurimit të tyre."

Kjo ditë shërbimi vullnetar në Los Anxheles sjell njerëzit së bashku rreth lumit, thotë themeluesi i grupit Miqtë e lumit Los Anxheles, Lewis MacAdams.

"Kështu nuk është më një ndarës të qytetit, por ai bëhet një vend grumbullimi, siç thotë edhe kënga e vjetër “Do të takohemi poshtë nga lumi”".

Këta vullnetarë shpresojmë ta shndërrojnë lumin 80 kilometra të gjatë në një pjesë të rëndësishme të peisazhit të Los Anxhelesit, ashtu siç ishte pas krijimit të qytetit dy shekuj më parë.

XS
SM
MD
LG