Lidhje

Mungesat dhe problemet e shqiptarëve në qytetin e Manastirit


Mungesat dhe problemet e shqiptarëve në qytetin e Manastirit
Mungesat dhe problemet e shqiptarëve në qytetin e Manastirit

Shqiptarët e njohin si qyteti i Alfabetit, të tjerët si qytet i konsujve. Manastiri përfshirë rrethinat, sipas statistikave zyrtare ka rreth 4 mijë banorë shqiptarë ose 4% të popullatës së përgjithshme dhe problemi kryesor i këtij komuniteti është shkollimi. Në qytet ka vetëm një shkollë të përzier ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe për rreth 300 nxënës nga klasa e parë deri në të tetën.

Qenan Hasani, një veteran i arsimit shqip në rrethin e Manasitirit thotë se problemi kryesor është mungesa e hapsirave për zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe.

"Kemi dy klasë shqipe, njëra me 34 dhe tjetra me 32 nxënës; punojnë në një hapsirë prej 33 metrash katorë", thotë ai.

Dhe jo të gjitha lëndët mësohen në gjuhën shqipe.

Selim Abdullai, mësues në shkollën Goce Dellçev ku mësojnë nxënësit shqiptarë, bën të ditur se shkolla deri në vitin ’77 ka qenë më vete, edhe ndërtesa edhe administrata e veçantë, ka mbajtur emrin e një shqiptari të Manastirit.

"Sot në administratën e shkollës nuk ka asnjë shqitar, madje as ndër pastruesit nuk ka shqiptar", thotë ai.

Nga ana tjetër mungon kuadri i nevojshëm i mësimdhënësve shqiptarë për të hapur një shkollë të mesme.

Zoti Hasani thotë se aktualisht nuk ka asnjë klasë me mësim në gjuhën shqipe në shkollë të mesme.

“Fajin e shohim te orientimi i nxënësve dhe prindërve të tyre; mungesa e interesimit. Ata më parë regjistrohen në klasët maqedonase dhe atë në shkollat e mesme të arsimit të orientuar”, thotë ai.

Njohësit e rrethanave druajnë se për shkak të shpërnguljeve të shpeshta të të rinjve shqiptarë sidomos në drejtim të Australisë, ku ka një komunitet të konsiderueshëm të manastirasve, intersi për shkollimin e mesëm në gjuhën shqipe në këtë qytet mund të zvogëlohet edhe më shumë.

Komunikimi ndëretik këtu ëhstë rikthyer, ndërkohë që nga kujtesa e shqiptarëve nuk shlyhen lehtë sulmet vandale kunder shtëpive dhe pronave të tyre në kohën e konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni.

Sadulla Lika dhe Ilija Simjanov janë ulur së bashku në një restorant përballë shtëpisë së Kongresit të Manastirit.

Zoti Simjanov thotë se çarshia jeton për qytetarinë dhe për zejtarinë. Ai është pronar i një për pastrim kimik.

"Njerëzit nuk i shikoj në bazë të përkatësisë etnike. Qyteti i Manastirit është vend i bashkëjetesës", thotë ai.

Sadulla Lika është nga fshati Ostrec; qe 41 vjet jeton në Melburn të Australisë, por ka blerë një shtëpi në rrethinën e Manastirit dhe vjen edhe për të takuar miqtë e vjetër:

“Qyteti nuk ka ndryshuar që kur jam larguar unë në vitin ’69. Unë lëvizë edhe nëpër fshatrat e këtushme dhe ato janë shumë keq, as ujë, as rrugë e asnjë gjë nuk kanë”, thotë ai.

Shqiptarët përballen me probleme veçanëtisht të punësimit; në administratën vendore nuk ka asnjë shqiptar. Autoritetet qeveritare arsyetohen me mungesën e kuadrit të shkolluar ndër shqiptarët e kësaj komune.

XS
SM
MD
LG