Lidhje

Maqedoni: Udhëheqja dhe opinioni publik vazhdojnë të dënojnë aktet e dhunës

  • Isak Ramadani
  • Zëri Amerikës

Faktorët politikë, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar në Maqedoni vazhdojnë t’i dënojnë incidentet e ditëve të fundit të cilat shikohen si të dëmshme për marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkëjetesën në këtë vend. Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov tha sot se dhunuesit do të marrin dënimin e merituar.

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zanier i cili po qëndron në Shkup, ka bërë thirrje për zbatimin e një hetimi transparent, të paanshëm dhe të plotë, si dhe për përfaqësimin e pakicave etnike në forcat policore dhe në gjyqësi.

Incidentet e ditëve të fundit në Maqedoni vazhdojnë të dënohen si nga partitë dhe faktorë të tjerë shqiptarë e maqedonas në vend, poashtu dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Organet e rendit bëjnë të ditur se kanë ndaluar sot një nga të dyshuarit për sulmin fizik kundër një maqedonasi të moshuar në afërsi të fshatit Saraj në perëndim të Shkupit. Ndërkohë, në arrest shtëpiak vazhdojnë të mbahen dy maqedonas që rrahën pesëmbëdhjetë nxënësit shqiptarë.

Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov u bëri sot thirrje të gjithë qytetarëve që t’i thonë jo dhunës dhe të zgjasin dorën e pajtimit. Ai paralajmëroi se ata të cilët manifestojnë dhunë dhe synojnë ta minojnë bashkëjetesën do të marrin dënimet e merituara.

Duke përkujtuar konfliktin e vitit 2001, presidenti maqedonas Ivanov, tha se ndjenja e hidhur e asaj periudhe është kapërcyer bashkërisht; kemi shpalosur një faqe të re dhe kemi hartuar një fillim të ri, u shpreh zoti Ivanov, pas një takimi me gjashtë prefektë komunash të cilët firmosën një memorandum bashkëpunimi në fushën e sportit si faktor i tolerancës dhe respektit.

Bëhet e ditur ndërkohë se komisioneri për zgjerim i BE-së Shtefan Fyle do të vijë në Shkup të enjten për t’u njohur nga afër me gjendjen pas incidenteve që rëndojnë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

Lamberto Zanier, sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Ervopian i cili po qëndron në Maqedoni ka thënë se ka mirëpritur veprimet e autoriteteve për qetësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e e autorëve para drejtësisë.

"Zgjidhja e shpejtë e këtyre incidenteve është shumë e rëndësishme, sepse shpesh perceptimet bëhen të rëndësishme po aq sa edhe faktet, është shprehur kështu ai në një inervistë për Agjensinë shteteore maqedonase të lajmeve. Ai ka shtuar se vrasja e para dy javëve në Gostivar, ndoshta mund të mos ketë qenë e bazuar në motive etnike, por nëse njerëzit nuk e besojnë këtë sqarim, ajo sërish do të ndikojë në gjendjen ndëretnike. Ai ka bërë thirrje për zbatimin e një hetimi transparent, të paanshëm dhe të plotë. Pakicat duhet të përfaqësohen në forcat policore dhe në gjyqësi. Vetëm atëherë strukturat e zbatimit të ligjit mund të fitojnë legjitimitetin dhe besimin e kësaj shoqërie shumëetnike, ka thënë zytrari i OSBE-së"

Ambasada amerikane edhe sot, përmes zëvendës-ambasadorit Brian Aggeler i ka dënuar incidentet duke thënë se veprat kriminale nuk kanë vend në një shoqëri të lirë dhe autorët duhet të ndëshkohen sipas ligjit.

Mbrëmë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pati një takim me zyrtarët e ambasadës amerikane po për ngjarjet e fundit.

Nga ana tjetër gjatë këtyre ditëve është vërejtur një retorikë ofenduese sidomos në televizionin proqeveritar Sitel kundër shqiptarëve. Shoqëria civile dhe mjetet shqipe të informimit kanë bërë thirrje që organet përkatëse të marrin masa të duhura për pengimin e gjuhës së urrejtjes.

XS
SM
MD
LG