Lidhje

Shkup: Qindra shqiptarë në protesta për vrasjet e Gostivarit

  • Isak Ramadani
  • Zëri Amerikës

Disa qindra shqiptarë protestuan sot në Shkup para ndërtesës së Parlamentit për të shprehur revoltimin e tyre ndaj vrasjes së dy shqiptarëve të rinjë në Gostivar nga një polic maqedonas. Protestuesit brohoritnin “Shqipëri etnike” dhe “UÇK”, ndërsa me fjalët “vrasës” u drejtoheshin policëve të cilët e siguronin ndërtesën e Parlamentit. Ata kërkuan dorëheqjen e ministres së brendëshme Gordana Jankullovska.
Ndërkohë, gjendja në Gostivar sot ka qenë e qetë. Zyra e Bashkimit Evropian në Shkup ka theksuar nevojën për angazhimin e duhur të qeverisë për zbatimin e hetimeve dhe masave ligjore. Zyra e BE-së u bën thirrje partive politike dhe shoqërisë civile që të dënojnë çdo lloj dhune që mund të manifestohet pas incidentit.
Ambasadori shqiptar Arben Çejku i ka vizituar familjet e dy viktimave në Gostivar.
Ndërkohë, protestuesit në Shkup nuk arritën të organizojnë një tubim të përbashkët, shqiptarë e maqedonas kundër dhunës policore, ashtu siç kishin paralajmëruar më herët. Analistët, nga ana tjetër, fajësojnë politikat qeveritare për incidentet ndëretnike në vend.

XS
SM
MD
LG