Lidhje

Martesa, faktor për një jetë të gjatë e të shëndetshme

  • Zëri Amerikës

Martesa, faktor për një jetë të gjatë e të shëndetshme

Martesa, faktor për një jetë të gjatë e të shëndetshme

Një martesë e lumtur, apo një marrëdhënie që zgjat një pjesë të mirë të jetës, prej kohësh janë konsideruar si faktorë që kontribuojnë për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Kjo pjesërisht për faktin se njerëzit e shëndetshëm kanë më shumë shanse të martohen dhe të mos divorcohen, por gjithashtu edhe falë përfitimeve fizike dhe mendore që duket se ofron martesa. Një studim i ri i botuar këtë vit në Revistën Studentore Mjekësore në Britani nënvizon se ritmet e vdekshmërisë mes personave të martuar janë 10-15 për qind më të ulëta se mes beqarëve.

Çdo vit, Presidenti i Bruklinit, Marti Markovitz fton dhjetëra banorë në të 70, 80 dhe 90 për të marrë pjesë në një pasdite argëtimi në këtë klub. I vetmi kufizim- të ftuarit duhet të jenë të martuar prej së paku 50 vjetësh. Këtë vit 400 çiftet pjesëmarrëse festuan me dolli dhe disa prej tyre me vallëzim, jetën si çift. Xho dhe Xhorxhia Mark, banorë të Broklinit, u takuan në 1943 në një darkë me miq në një restorant kinez:

“Vallëzuam gjithë natën. Nuk më ra rasti as të haja, megjithëse pagova për darkën që na servirën. Në korrik do të mbushen 67 vjet martesë. Jemi si puna e qeverisë – bëjmë plane afat-gjata,” shprehet Xho.

Ky çift me moshë në mes të të 80-tave, ka rritur dy vajza dhe ka ndihmuar të rrisin dy nipa, ata kanë pasur një pikë pastrimi kimik dhe kanë kaluar problemet mjekësore të Xhout – kancerin dhe një goditje në zemër:

“Dy herë ke shpëtuar, falë Zotit, por edhe sepse unë s’të lë të vdesësh”.

Xhorxhia Mark mund të ketë të drejtë kur e konsideron veten si faktor në shëndetin e të shoqit. Studimet tregojnë se individët e martuar kanë shëndet fizik dhe emocional më të mirë se beqarët. Deborah Kër, pedagoge e sociologjisë në Universitetin Rutgers në Nju Xhërsi thotë se njerëzit që martohen përgjithësisht kanë shëndet më të mirë që në fillim dhe më pas përfitojnë nga kujdesi i partnerit të jetës:

“Kur mes çiftit ka dashuri, ata kujdesen për njëri-tjetrin. Gruaja gatuan gjellë të shëndetshme për të shoqin, i jep ilaçet, burri e ndihmon gruan të mos rrëzohet kur ecin nëpër një trotuar me akull. Pra ka gjëra shumë konkrete që bëjnë bashkëshortët për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit. Por ndoshta kontributi më i rëndësishëm është emocional. Kur ke dikë me të cilin bisedon, i shpreh emocionet, kjo rezulton në përfitime reale fizike dhe emocionale”.

Zonja Kërr thotë se sidomos burrat përfitojnë me rritjen e jetëgjatësisë nga martesa. Të dy gjinitë kanë ritme më të ulëta depresioni. Dhe s’është për t’u çuditur që kur çiftet e martuara moshohen, ata fillojnë të kenë më pak konflikte dhe e shijojnë më shumë shoqërinë e njëri-tjetrit, si Xho dhe Xhorxhia, të cilët thonë se 68 vjet pas ditës që u takuan për herë të parë, janë ende miq të mirë.

“Ti ma bën jetën shumë interesante,” thotë Xhorxhia.

XS
SM
MD
LG