Lidhje

Përmendore e re për Martin Luter Kingun, udhëheqës i të drejtave civile


Përmendore e re për Martin Luter Kingun, udhëheqës i të drejtave civile
Përmendore e re për Martin Luter Kingun, udhëheqës i të drejtave civile

Së shpejti Uashingtonit do t'i shtohet zyrtarisht një përmendore e re, me përurimin e një memoriali të ri kombëtar. Martin Luther King ishte zëri kryesor i lëvizjes moderne të të drejtat civile në vend, dhe ky është monumenti i parë i madh që ngrihet në qendër të kryeqytetit për të nderuar një afrikano-amerikan.

Martin Luther King u bë i njohur në vitet 50 dhe 60 si udhëheqës i ri i një lëvizje jo të dhunshme proteste për barazi racore.

"Madhështia e Amerikës është e drejta për të protestuar për të drejtën," thoshte Martin Luter Kingu, një pastor nga Atlanta, i cili udhëhoqi qindra e mijëra afrikano-amerikanë për t'i dhënë fund ndarjes racore në jugun e Shteteve të Bashkuara.

Lëvizja shkaktoi dhunë herë pas here, kur disa të bardhë u përpoqën të zbatojnë ligjet që lejonin ndarjen e vendeve publike mbi bazën e racës, si restorantet, hotelet, kinematë, trenat, autobusët dhe shkollat.

Martin Luter King filloi të dalë në krye të lëvizjes në dhjetor 1955, duke udhëheqësur një protestë kundër ndarjes racore në autobusët publikë në Montgomeri të Alabamës.

Zëri i Martin Luther Kingut, udhëheqës i të drejtave civile
"Ne, afrikano-amerikanët, vendosëm të mos përdorim më autobusët e ndarë sipas racës."

Një vit më vonë, Gjykata e Lartë deklaroi se ligji për ndarjen racore në autobusa në Alabama ishte jokushtetues. Kjo ishte fitorja e parë e madhe për Martin Luter Kingun dhe lëvizjen e tij.

Pastori Kelvin Uds punonte nga afër me Martin Luther Kingun gjatë protestave në Alabama.

"Ai ishte një njeri i thjeshtë që mund të bisedonte me të gjithë. Ai nuk përtonte t’i dëgjonte të gjithë dhe t’i bënte t’i kuptonin gjërat mirë."


"Jam i lumtur që bashkohem me ju; kjo do të hyjë në histori si demonstrimi më të madh për lirinë në historinë e vendit tonë."

Më 28 gusht 1963, më shumë se një çerek milion njerëz u mblodhën në kryeqytetin e vendit për "Marshimin në Uashington." Martin Luther King mbajti këtu një fjalim që do të mbetet i famshëm në histori, një thirrje për punë dhe liri.

"Ëndërroj se katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një vend ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga përmbajtja e karakterit të tyre."

Aktivistja e të drejtave civile Barbara Arnuin thotë se fjalimi u dha shpresë shumë njerëzve.

"Ai i bënte thirrje vendit të synonte sa më lart, sidomos kur bëhet fjalë për barazi racore, sepse vetëm atëherë kur jemi si një shtëpi e bashkuar do të jemi një vend i fortë."

Ëndrra e tij për një Amerikë më të mirë filloi të marrë formë në vitin 1964. Në moshën 35 ai u bë fituesi më i ri i Çmimit Nobel për Paqe. Lëvizja për të drejtat civile arriti t’u bëjë trysni ligjvënësve dhe presidentit Lindon Xhonson për të miratuar legjislacionin historik që nxjirrte jashtë ligjit ndarjen racore në vende publike dhe praktikat diskriminuese që i ndalonin zezakët të votonin.

"Unë dua t’i them popullit amerikan dhe vendeve të botës se ne po lëvizim dhe nuk ka valë racizmi që të na ndalë."

Por jo shumë kohë pas këtyre arritjeve, në April 1968 – Martin Luter King u vra në Memfis të shtetit Tenesi.

Më shumë se katër dekada pas vrasjes, vendi po e nderon Martin Luther Kingun dhe vizionin e tij të barazisë racore me një memorial kombëtar në Uashington. Pjesa kryesore e tij quhet "Guri i Shpresës”, një skulpturë e madhe graniti i cili paraqet Martin Luter Kingun përbri memorialeve të ish presidentëve amerikanë.

Heri Xhonson është president i fondacionit që ka punuar për ndërtimin e përkujtimores e cila kushtoi 120 milion dollarë.

"Kur njeriu vjen këtu, ne duam që ai të ndjejë diçka sureale, të mendojë se çfarë do të kishte bërë Martin Luter Kingu, për më tepër se çfarë vlere ka ai sot për ne që nuk e kemi takuar si dhe për botën."

Vernon Roberts, vizitor nga Nju Xhersi, thotë se përkujtimorja e Martin Luther Kingut është mjaft e veçantë.

"Kjo na jep një vështrim të ndryshëm nga përmendoret e presidentëve që ju shihni në Uashington, na jep mundësinë për të studiuar, për të ditur dhe në fakt për t’u rritur. Dhe kjo është një formë inkurajimi për të gjithë ne".

Ata që ndihmuan në ndërtimin e përkujtimores së Martin Luter Kingut thonë se ky është një nder që i bëhet një njeriu të paqes, i cili luftoi aq shumë për demokracinë, drejtësinë dhe përmirësimin e jetës së miliona afrikano-amerikanëve.

XS
SM
MD
LG