Lidhje

Presidenti Obama pranon dorëheqjen e gjeneralit Stenli Mekristëll


Presidenti Barak Obama pranoi dje dorëheqjen e komandantit të tij më të lartë në Afganistan, gjeneralit të ushtrisë Stanli Mekristëll, dhe në vend të tij emëroi Gjeneralin David Petreas, komandantin e komandës qëndrore të Shteteve të Bashkura. Kent Klein i Zërit të Amerikës sjell hollësi nga Shtëpia e Bardhë.

Pas më shumë se 24 orë pritje në Uashington, Presidenti Obama njoftoi se kishte pranuar dorëheqjen e gjeneralit Mekristëll.

“E mora këtë vendim me keqardhje të madhe, por edhe i sigurt se ky është hapi i duhur për misionin tonë në Afganistan, për ushtrinë dhe për vendin tonë”.

Presidenti Obama i dha urdhër komandantit të kthehej në Uashington nga Afganistani për të shpjeguar një seri komentesh që kishte bërë për revistën Rolling Stone vetë gjenerali dhe pjesëtarë të stafit të tij. Ata citohen të kenë vënë në lojë, mes zyrtarëve të tjerë të lartë, edhe nënpresidentin Xho Bajdën, Këshilltarin e Sigurimit Kombëtar Xhejms Xhons dhe ambasadorin amerikan në Afganistan, Karl Eikenberri. As gjenerali Mekristëll dhe asnjëri prej ndihmësve të tij nuk vunë në pikpyetje citimet e revistës apo saktësinë e vetë artikullit.

Presidenti tha se shkarkimi i komandantit të lartë në Afganistan ishte vendimi i duhur.

“Qëndrimi i pasqyruar në artikullin e sapo publikuar nuk përmbush standartet që duhen vendosur nga një gjeneral në komandë. Komente të tilla minojnë kontrollin civil të ushtrisë, që është në thelb të sistemit tonë demokratik. Madje dëmton rëndë besimin e domosdoshëm për ekipin tonë që të punojnë së bashku për të arritur objektivat tonë në Afganistan”.

Presidenti njoftoi emërimin e Gjeneralit të ushtrisë David Petreas, për të zëvëndësuar gjeneralin Mekristëll si komandantin e lartë të trupave amerikane në Afganistan.

Zoti Obama siguroi amerikanët dhe vendet aleate se emërimi i Gjeneral Petreas përbën një ndryshim personeli dhe jo politike në Afganistan.

Emërimi i Gjeneralit Petreas duhet të konfirmohet nga Senati. Presidenti Obama u bëri thirrje ligjvënësve që ta konfirmojnë menjëherë Gjeneralin, roli udhëheqës i të cilit, tha presidenti, do të ndihmojë në vazhdimin e vrullit të operacioneve në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të dalin fitimtare.

XS
SM
MD
LG