Lidhje

Media sociale në ndihmë të protestave "Zaptimi i Uoll Stritit"

  • Zëri Amerikës

Media sociale në ndihmë të protestave "Zaptimi i Uoll Stritit"

Media sociale në ndihmë të protestave "Zaptimi i Uoll Stritit"

Lëvizja “Të pushtojmë Uoll Stritin”, nuk po shfaq shenja fashitjeje. Jo vetëm kaq, por ajo ka marrë një karakter global duke u shoqëruar me protesta në Evropë dhe Azi. Por, si filloi ajo dhe çfarë mjetesh po përdorin pjesmarrësit e saj për të vazhduar suksesin? Më poshtë do t’i hedhim një vështrim rolit të mediave shoqërore në këtë lëvizje.

Protesta filloi në mes të shtatorit, kur rreth 1,000 vetë marshuan përmes zonës financiare të Nju Jorkut, duke demonstruar kundër asaj që ata e quajtën "lakmi e korporatave" dhe pabarazi në rritje e të ardhurave në Shtetet e Bashkuara. Disa nga protestuesit e kaluan natën në një park të vogël privat.

Tani, më shumë se një muaj më pas, demonstruesit kanë formuar një komunitet të gjallë dhe parku është bërë baza - nga e cila ata ndërmarrin protestat dhe aktet e mosbindjes civile.
Aleksa O'Brajan ishte një nga organizatoret e para.

"Ishte në fakt një veprim personal impulsiv. Nuk ma mori mendja se ajo do të shtohej me 1000 veta brenda javës. Ne kuptuam përgjegjësinë që kishim për t’u krijuar amerikanëve një hapësirë për të shprehur ankesat e tyre kundër qeverisë."

E ushqyer nga rrjetet e mediave sociale, lëvizja mori hov. Ndonëse filloi në oborrin e pasmë të bankierëve më të fuqishëm të botës në Wall Street, ajo është përhapur tani në më shumë se njëqind qytete në të gjithë Shtetet e Bashkuara, në Evropë dhe Azi. O'Brajan thotë se merita e suksesit i takon forcës së rrjeteve shoqërore.

"Lëvizja “Të pushtojmë Uoll Stritin” është krijesë e internetit. Në fillim ishte një grup aktivistësh, por pastaj ajo u zgjerua... brenda saj pati mjaft adrenalinë. Arsyeja pse këtu ka kaq shumë zëra është se këtu kemi një manifestim fizik të internetit i cili gjithashtu është një hapësirë qytetare."

Ndërsa Interneti ka ndihmuar në përhapjen e shqetësimeve të pjesmarrësve, rrjetet sociale janë përdorur edhe për të zbuluar disa reagime të policisë që sipas pjesmarrësve kanë qenë të padrejta.

"Në epokën e mediave sociale, nuk mund të keqtrajtosh njerëzit apo të abuzosh me ta sepse menjëherë të del fytyra në Twitter."

Xhesi LaGreka është dëshmia më e mirë për fuqinë e mediave sociale. Ai u shfaq duke qortuar një producent të kanalit Fox News në një video që u bë mjaft popullore në YouTube, duke marrë më shumë se 100.000 klikime.

LaGreka thotë se mediat sociale bëjnë që lëvizja të anashkalojë mediat tradicionale.

"Ato janë aq larg realitetit saqë tani kanë dalë jashtë loje. Gjithkush ka YouTube, ka Twitter, të gjithë kanë Facebook. "

Protestat kanë frymëzuar krahasime me të ashtu-quajturën "Pranvera arabe" - trazirat sociale në vendet arabe. Por, pjesmarrësit thonë se krahasimi nuk është plotësisht i saktë.

"Ata po luftojnë për diçka shumë më të madhe se sa ne. Por kjo nuk do të thotë se ajo për të cilën luftojmë ne nuk është e rëndësishme. "

"Pjesëmarrja në protesta këtu nuk është e njëjtë si në protestat e vendeve të tjera. Vërtet këtu mund të arrestohesh, por nuk ke frikë se policia do të të godasë me shkop në kokë apo do të të qëllojë me plumb, siç ndodh në vendet e tjera, veçanërisht në Lindjen e Mesme".

Por ndërkohë që ngjashmëritë midis dy lëvizjeve mund të jenë të kufizuara, ka disa tema që janë të përbashkëta.

"Njerëzit në Egjipt nuk patën nevojë për median egjiptiane për të përhapur mesazhin e tyre, sepse këtë e bënin vetë. Pra, në një farë mase ne po kopjojmë të njëjtin model".

Megjithë rritjen e saj, qëllimet e lëvizjes janë të paqarta dhe qëllimisht ajo i është shmangur emërimit të një udhëheqësi.

"Së pari, suksesi i lëvizjes është se ajo nuk i përket askujt. Unë mendoj se sa më e larmishme të jetë pjesmarrja aq më pak kjo lëvizje mund të bëhet pronë e dikujt. Sa më pak e decentralizuar të jetë, aq më mirë".

Me zgjerimin e lëvizjes dhe përhapjen e saj në botë, pakënaqësia e njerëzve ndaj gjendjes së tanishme mund të kthehet në një mesazh që vështirë të mos përfillet.

XS
SM
MD
LG