Lidhje

Çështja Meta vazhdon; reagojnë analistët


Çështja Meta vazhdon; reagojnë analistët

Çështja Meta vazhdon; reagojnë analistët

Analistë të shoqërisë civile i vlerësuan si vonesa të panevojshme në procesin gjyqësor ndaj zotit Ilir Meta komentet e ekspertëve të videos Meta-Prifti në Gjykatën e Lartë. Gazetari i njohur Andi Bushati thotë se “çështja Meta” është një tjetër shembull i nënshtrimit të gjyqtarëve ndaj politikës.

“Edhe rasti i sotëm me përfundimin që arritën ekspertët është natyrisht një rast i vonesës dhe i zvarritjes së procesit. Është një zvarritje e cila nuk vjen rastësisht. Të gjithë proceset gjyqësore që kanë patur në qendër njerëzit e pushtetit ose njerëzit e lidhur me pushtetin fillimisht janë zvarritur dhe pastaj kanë përfunduar në fiasco dhe askush nuk është dënuar prej tyre. Jemi në atmosferën e një kulture pandëshkueshmërie, të cilën të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë që na gjykojnë nga jashtë po e vënë re në të gjitha raportet e tyre” - tha ai.

Zoti Bushati thotë se në procese të tilla si ky ndaj zotit Meta presionet politike luajnë rol të ndjeshëm, duke sjellë tolerimin e korrupsionit në tërësi në nivele të larta zyrtarësh.

“Çdo jurist, apo çdo avokat po të pyetet, thotë se demokracia është procedurë; çdo i akuzuar ka të drejtë ta përdorë procedurën për të shpëtuar apo për të lehtësuar pozicionin e tij. Por nuk jemi në momentin e përdorimit të procedurave për të shpëtuar ata që akuzohen për krime të rënda, e kryesisht për korrupsion. Jemi në momentin e një pushteti gjyqësor totalisht të kontrolluar nga pushteti politik, dhe prandaj gjyqet në mënyrë të njëpasnjëshme përfundojnë në të njëjtën mënyrë” - thotë zoti Bushati.

Ndërsa përfaqësuesi i Konfidustria-s shqiptare, Gjergj Buxhuku, thotë se procese të tilla gjyqësore si “çështja Meta” kërkojnë profesionalizëm të lartë nga njerëzit e drejtësisë dhe nxitimi nuk justifikohet.

“Së pari, në çështjet civile sistemi i drejtësisë shqiptare është i paaftë të japë vendime në kohë dhe me cilësi; kjo edhe për arësye të mungesës së gjykatës administrative. Së dyti, sa u takon gjyqeve që kanë brenda një karakter të theksuar politik, ato janë gjyqe të vështira jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë botën. Ndaj kërkohen dy elementë; fillimisht kërkohet profesionalizëm i lartë dhe më pas mendoj që, për hir të profesionalizmit, pra, që vendimi të jetë sa më i saktë, për shkak se ka një peshë politike dhe përgjegjësi shumë të madhe, kjo le të bëhet edhe në këmbim të kohës. Por gjithmonë koha duhet të përkthehet në profesionalizëm” - tha zoti Buxhuku.

Gjykata e Lartë vendosi pak kohë më parë të shpallë të pavlefshme ekspertimet e prokurorisë të kryera nga një teknik amerikan dhe një teknik anglez mbi videon e regjistruar fshehtas nga ish-ministri Dritan Prifti me ish-zëvendës/kryeministrin Ilir Meta, nga ku dyshohet për një bisedë me përmbajtje korruptive. Gjykata e Lartë vendosi që ekspertimin ta kryejë një grup teknikësh shqiptarë.

XS
SM
MD
LG