Lidhje

Palestinezët këmbëngulin për ndalimin e ndërtimeve të reja para fillimit të bisedimeve me Izraelin

  • Zëri Amerikës

Zyrtarët palestinezë thonë se do të braktisin bisedimet nëse Izraeli vazhdon politikën e zgjerimit të vendbanimeve, ndërkohë që palët përgatiten për të para bisedime të drejtpërdrejta në 2 vjet. Kryenegociatori palestinez Saeb Erakat thotë se e ardhmja e bisedimeve do të varet nga vazhdimi i moratoriumit izraelit ndaj ndërtimeve të reja. Moratoriumi skadon në 26 shtator. Izraelitët nga ana e tyre theksojnë se nuk duan parakushte për bisedimet. Ndërkaq, njoftimi për rifillimin e negociatave nuk ka zgjuar ndonjë shpresë për paqe të qëndrueshme në rajon.

Tone dyshimi ndjeheshin në komentet e izraelitëve dhe palestinezëve lidhur me njoftimin për rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta.

“Sekretarja Klinton po sheh ëndrra me sy hapur, por është konflikt tepër i thellë që nuk mund të zgjidhet brenda një viti. Shpresoj që vizioni i saj të realizohet, por nuk është një plan realist,” thotë ky banor i Jeruzalemit.

Mëdyshje janë shprehur hapur edhe nga zyrtarët palestinez. Negaciatori palestinez Saeb Erakat shprehet se suksesi do të varet nga plotësimi i disa kushteve nga Izraeli:

“Prova që duhet të kalojmë është përpara nesh. Nëse zoti Netanjahu në 26 ose 27 shtator vendos t’i japë fund moratoriumit të nisur 10 muaj më parë ndaj ndërtimeve të reja në Bregun Perëndimor, ne nuk mund të vazhdojmë negociatat. Po e them sa më qartë që të jetë e mundur: nuk duam negociata për hir të negiociatave. Është koha për çdo palë që të nderojë detyrimet dhe angazhimet përkatëse”.

Për disa banorë izraelitë, këto parakushte janë thjesht manovra të palestinezëve për të arritur synime të tjera:

“Mendoj se ky është një tjetër truk i palestinezëve për të siguruar më shumë tokë. Është si në kohën e evakuimit të Rripit të Gazës, kur pas largimit të trupave, palestinezët filluan të qëllonin me raketa,” thotë ky banor.

Autoritetet izraelite shprehet se vetëm bisedimet pa parakushte mund të kenë shpresë suksesi. Mark Ragev është zëdhënës i qeverisë izraelite:

“Ne i mirëpresim bisedimet e drejtpërdrejta me palestinezët pa kushte paraprake. Vetëm bisedimete dirkete shpresojmë se mund të sjellin paqen”.

Hamasi është e vetmja palë që e ka thënë që në fillim se nuk synon të marrë pjesë në bisedime. Kryeministri Ismail Hanije i grupit militan shprehet se nuk sheh ndonjë shpresë për përparim nga kjo tentativë.

“Nuk shohim asnjë avantazh nga rifillimi i bisedimeve. Këto bisedime do të jenë vazhdimi i një rruge të paqartë politike. Ky është mishërimi i një politike zioniste, ku negociatat po shfrytëzohen si kamuflazh”.

Procesi do të fillojë që në datën 1 shtator me bisedimet në Shtëpinë e Bardhë mes udhëheqësve palestinezë, izraelitë, egjyptianë e jordanezë.

Në datën 2 shtator, Sekretarja amerikane e Shtetit do të sjellë për herë të parë që nga Dhjetori i vitit 2008 në një takim të drejtëpërdrejtë me njëri-tjetrin, kryeminisrin e Izraelit Benjamin Netanjahu dhe Presidentin Palestinez Mahmud Abbas.

XS
SM
MD
LG