Lidhje

Studimi i ri: Lidhja mes diabetit dhe alzheimerit

  • Astrit Lulushi

Studimi i ri: Lidhja mes diabetit dhe alzheimerit

Studimi i ri: Lidhja mes diabetit dhe alzheimerit

Shkencëtarët amerikane kanë shpikur një teknikë të re për zbulimin e cancerit në vezore. Ndërsa studimi tjetër tregon një lidhje të re midis diabetit dhe Alzheimerit, dy nga sëmundjet më shkatërruese e më të frikshme. Më shumë se 100 milionë amerikanë janë diabetikë ose para-diabetikë. Dëmet që diabeti i sjell trupit janë të njohura, por tani mësohet se ndikon edhe në degradimin e trurit, grabitjen e kujtesës dhe dyfishon rrezikun për zhvillimin e Alzheimerit.

Ky është studimi më i plotë që tregon lidhjen mes diabetit dhe demencës (simptomë e Alzheimerit). Mbi 1 mijë pacientë me diabet rreth moshës 60 në Japoni u vëzhguan për 15 vjet dhe në fund doli se të moshuarit me diabet kanë dy herë më shumë gjasa sesa pjesa tjetër e popullatës për të zhvilluar simptomat e demencës.

Doktor Riçard Kaselli, neurolog në Klinikën Mayo thotë se ky studim mund të sjellë një përmirësim a qasje të re në trajtimin e pacientëve me Alzheimer.

Pasojat e diabetit janë të mëdha. Gati 26 milionë të rritur dhe fëmijë në botë kanë diabet dhe 80 milionë janë para-diabetikë. Çfarë është lidhja midis dy sëmundjeve? Mjekët ende nuk janë të sigurt, por ata e dinë se sheqeri ka një efekt të dëmshëm në të dy sistemet; sistemin nervor dhe sistemin vaskular ose të enevëve të gjakut.

Doktor Kaselli thotë se lidhja midis diabetit dhe humbjes së kujtesës është disi më e gjerë. Diabeti ka kohë që njihet si faktor rreziku për forcim të arterieve, dhe forcimi i arterieve ndikon në qarkullimin e gjakut në tru dhe mund të shkaktojë atje goditje, dhe të çojë në të ashtuquajturën demencë vaskulare.

Por a mund të ndihmojë ulja e nivelit të sheqerit nëpërmjet insulinës, për zbutjen e simptomave të Alzheimerit?

Doktor Kasell i Klinikës Mayo thotë se idea se insulina mund të përmirësojë funksionimin e trurit tek njerëzit me Alzheimer është në fakt një qasje e re për trajtimin e demencës së sëmundjes Alzheimer.

Teknikë e re për zbulimin e kancerit në vezore

Përparimet teknologjike mund t’i ndihmojnë mjekët për të zbuluar dhe trajtuar kancerin në vezore, kancer kryesor vdekjeprurës për gratë. Një studim i ri nga shkencëtarët në Universitetin Purdue në shtetin amerikan Indiana, hedh dritë mbi mënyrën sesi mjekët mund t’i dallojnë tumorët në vezore.

Është dritë neoni në errësirë që mund të ndryshojë përgjithmonë luftën kundër kancerit. Mjekët e quajnë imazh fluoreshent. Kjo teknikë e shpikur nga shkencëtarët në Universitetin Purdue i shndërron qelizat kanceroze të vezore, në pika të shndritëshe duke i zbuluar ato plotësisht.

Doktor Filip Low në universitetin Purdue thotë se siç shihet kjo qelizë kancerose që ndriçon si llampë neoni, kështu mund të zbulohen edhe një numër i madh qelizash të sëmura që me metoda të tjera do të ishte e pamundur të dalloheshin.

Kjo procedurë u mundëson kirurgëve të shohin qelizat kanceroze që janë 30 herë më të vogla sesa ato që ishte e mundur të dalloheshin më parë; dhe u lejon atyre të zbulojnë deri në 5 herë më shumë depozita qelizash kanceroze sesa më parë. Kjo teknikë ka filluar të përdoret nga kirurgë në Evropë.

Doktor Filip Low thotë se parashikon që procedura e re të përdoret për rreth 40 përqind të kancereve, duke ndikuar dukshëm në shtimin e jetëgjatësisë së njeriut.

Një ndriçim i ngjashëm qelizash është duke u përdorur edhe në Klinikën e Klevelandit në shtetin Ohajo, nga kirurgët për të dalluar forma të tjera kanceresh në organe të ndryshme.

Ndërsa Klinika Mayo ka në plan të fillojë së shpejti procedurën me dritë fluoreshente në kirurgji. Klinika Mayo është një grup a sistem shëndetësor me rreth 70 spitale në disa shtete amerikane.

XS
SM
MD
LG