Lidhje

Kujtohen aktivitetet e Lëvizjes për të Drejtat Civile në Alabama


Kujtohen aktivitetet e Lëvizjes për të Drejtat Civile në Alabama
Kujtohen aktivitetet e Lëvizjes për të Drejtat Civile në Alabama

Dje në Uashington, Presidenti Obama kishte në plan të inaguronte monumentin kombëtar për nder të udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther Kingut, por për shkak të uraganit Irene, ceremonia u shty për një datë të pacaktuar. Martin Luther Kingu ishte një pastor baptist i cili drejtoi lëvizjen e të drejtave civile gjatë viteve 1950 dhe 1960. Lufta e tij për të drejta të barabarta për miliona zezakë të Amerikës nuk ishte e lehtë. Chris Simkins i Zërit të Amerikës njofton për një nga ngjarjet më të rëndësishme të lëvizjes për të drejtave civile që vuri në qendër të vëmendjes kombëtare dhe ndërkombëtare Martin Luther Kingun dhe filozofinë e tij të veprimeve pa dhunë.

Martin Luther King i Riu shkoi në Birmingham të Alabamës në vitin 1963 me një mision - në një vend që ai e quajti “qyteti më i ndarë në Shtetet e Bashkuara”.

“Për të dramatizuar këtë padrejtësi të hapur. Dhe për të kërkuar që qeveria federale të mos investojë asnjë cent në këtë qytet për aq kohë sa nuk vendos të përballet me realitetin që ka shkaktuar ndarjet racore”.

Në demonstratat jo të dhunshme që pasuan, zoti King dhe qindra protestues u arrestuan. Ata po i bënin presion qytetit të shfuqizonte ligjet që mbanin të ndarë zezakët dhe të bardhët nëpër shkolla, restorante dhe shumë vende të tjera publike.

Historiani Robert Corley thotë se për zotin King dhe udhëheqësit lokalë të të drejtave civile kjo strategji kishte nevojë për sukses.

“Nuk ka pasur asnjë lëvizje që ka luftuar ndarjen racore në këtë qytet. Martin Luther Kingu thoshte se nëse ne mund të fitojmë në Birmingham atëherë ne mund të fitojmë kudo”.

Martin Luther Kingu dhe pasuesit e tij u ndeshën me një rezistencë të ashpër nga policia. Komisioneri për Siguri Publike Eugene “Bull” Connor, i mbështetur nga shumica e banorëve të bardhë, ishte i vendosur të ndalonte demonstratat.

Pa vullnetarë të mjaftueshme për të vazhduar protestat, zoti King dhe udhëheqës të tjerë vendosën të aktivizojnë qindra nxënës të rinj për të vazhduar demonstratat dhe për të mbushur burgjet.

“Unë u arrestova, disa dhjetra metra larg kishës deri në këtë pjesë të qytetit”.

Janice Kelsey ishte 16 vjeç kur ajo dhe nxënës të tjerë në shkollën ku ajo mësonte u burgosen.

“Unë e kisha ndarë mendjen. Do t’i bashkohesha protestave edhe sikur të futesha në burg sepse isha në kërkim të lirisë sime”.
Pastaj, në ditën e dytë, demonstratat e studentëve u bënë të dhunshme.

Policia përdori topat me ujë për të larguar protestuesit e rinj si dhe qentë për t’i sulmuar ata. Udhëheqësi i të drejtave civile në Birmingham Calvin Woods ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

“Disa njerëz janë kafshuar nga qentë dhe disa janë vrarë. Shumë njerëz u rrahën, u pështynë, u burgosën dhe humbën vendet e punës. Por ato janë gjëra të vogla në krahasim me atë që dëshironim të arrinim”.

Shtypja brutale u transmetua në stacionet televizive dhe imazhet e ngjarjes shiheshin në gjithë botën. Robert Corley thotë se ky incident i dha mbështetje të re lëvizjes për të drejtat civile.

“Ishte protesta e fëmijëve që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve, sepse ajo i shërbeu qëllimit të martin Luther Kingut për mbushjen e burgjeve duke detyruar komunitetin e të bardhëve që të uleshin në tryezë me zotin King dhe të negocionin një zgjidhje”.

Përfundimisht, zoti King dhe udhëheqësit e qytetit të Birminghamit arritën një marrëveshje. Brenda disa muajsh, ligjet lokale të ndarjes racore u shfuqizuan. Pastori Woods thotë se vendosmëria e zotit King për të mbajtur të gjallë lëvizjen kontrobuoi në arritje të gjitha këtyre ndryshimeve.

“Ne nuk do të arrinim atë që kemi bërë pa kontributin, mbështetjen dhe udhëheqjen e Dr. Martin Luther Kingut”.

Fushata e Birminghamit ishte një betejë që arriti kulmin e lëvizjes për të drejtat civile. Për shumë analistë, kjo qëndron si një simbol i sakrificave të bëra nga zoti King dhe mijëra zezakë në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG