Lidhje

Gjykimi i Ratko Mlladiçit në Gjykatën e Hagës

  • Andre Neshnera

Gjykimi i Ratko Mlladiçit në Gjykatën e Hagës

Gjykimi i Ratko Mlladiçit në Gjykatën e Hagës

Ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç është një tjetër i dyshuar për krime lufte që del përpara Gjykatës së Hagës. Ndaj tij janë ngritur shumë akuza por disa ekspertë thonë se më e vështira për t’u provuar është akuza për gjenocid.

Gjenerali Ratko Mlladiç përballet me 11 akuza për veprat penale të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krime lufte nga periudha e luftës civile në Bosnjë mes viteve 1992 dhe 1995. Ai, së bashku me udhëheqësin politik serb të Bosnjës Radova Karaxhiç, i cili gjithashtu po gjykohet, akuzohen se kanë urdhëruar atë që konsiderohet si krimi më mizor në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, masakrën në enklavën e Srebrenicës, e cila mbrohej nga OKB-ja.

Marko Hoare, ekspert për Ballkanitn në Universitetin Kingston të Londrës, thotë se ushtria serbe e Bosnjës e mori Srebrenicën në korrik 1995.

“Serbët ndanë meshkujt nga femrat dhe pleqtë dhe i masakruan ata sistematikisht në përpjekje për të mos i lejuar t’u bashkoheshin luftëtarëve myslimanë të Bosnjës. Ata kryen gjenocid për t’i hequr qafe meshkuj myslimanë. U masakruan edhe myslimanë të tjerë që u kapën duke shkuar në Srebrenicë me kolonat e refugjatëve. Kështu ndodhi masakrimi sistematik i tetë mijë civilëve.”

David Kej, ekspert i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA) thotë se Ratko Mlladiçi i ka duart e lyera me gjak më shumë se askush tjetër.

“Ai luajti rol kryesor në rrethimin e Sarajevës që zgjati 43 muaj, nga viti 1992 deri më 1996. Ishte në krye të rrethimit të Srebrenicës dhe masakrës që pasoi në korrik 1995. Ishte përgjegjës për veprimtaritë ushtarake në vend. Mlladiçi kishte qenë ushtarak karriere në ushtrinë jugosllave dhe pastaj u transferua në ushtrinë serbe të Bosnjës kur ajo u krijua dhe u vu në krye të saj. Pra ai ishte ushtarak profesionist. Ai i dinte rregullat dhe ligjet e luftës dhe i shkeli ato qartë dhe me dijeni të plotë. Ai është personi kryesor që duhet të dalë para drejtësisë kur bëhet fjalë për luftën në Bosnjë.”

Zoti Kej thotë se nga të gjitha akuzat e ngritura kundër Mlladiçit, gjenocidi është më e vështira për t’u provuar.

“Është ajo që ne juristët e quajmë “krim me qëllim të caktuar”. Kjo do të thotë se nuk duhet të provosh vetëm që Mlladiçi ishte përgjegjës për një krim të caktuar, por duhet të provosh se ai ishte përgjegjës dhe e kreu krimin me qëllim që të shkatërronte plotësisht apo pjesërisht komunitetin mysliman të Bosnjës apo komunitetin e Srebrenicës. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për përcaktimin e përgjegjësisë së tij për krimin, por për të provuar se qëllimi i tij ishte shkatërrimi i atij grupi.”

Ratko Mlladiç doli për herë të parë para një gjykatësi më 3 qershor. Ai u arrestua në Serbi muajin e kaluar pas 15 vitesh arrati.

Ai i bashkohet ish udhëheqësit politik serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç i cili po gjykohet që nga tetori 2009. Zoti Kaye thotë se akuzat kundër Mlladiçit janë shumë të ngjashme me ato ndaj Karaxhiçit.

“Në rrethana ideale, Mlladiçi dhe Karaxhiçi do të ishin gjykuar së bashku, sepse ishin bashkpunëtorë në krim në kuptimin e plotë të fjalës. Por meqenëse gjyqi i Karaxhiçit ka kohë që zhvillohet, nuk do të ishte e drejtë as për të pandehurin, as për gjykatësit dhe as për prokurorët që ata të detyrohen ta fillojnë gjyqin përsëri për t’i gjykuar së bashku.”

Por Marko Hoare mendon ndryshe.

“Disa kanë thënë se gjykimi duhet të jetë i përbashkët. Kjo është e logjikshme, meqenëse ata ishin bashkpunëtorë dhe fajtorë për të njëjtat gjëra. Dhe ky do të ishte ndoshta hapi i duhur. Gjykata nuk e ka marrë këtë vendim, por nëse do ta bëjë këtë, unë mendoj se do të ishte vendimi i duhur.”

Gjatë daljes së parë para gjykatës më 3 qershor, Mlladiçi nuk foli shumë. Ai i hodhi poshtë akuzat kundër tij si të tmerrshme dhe të zmadhuara dhe kërkoi t’i jepej më shumë kohë për të deklaruar fajësinë apo pafajësinë e tij. Gjykatësi e pranoi kërkesën dhe i shtyu procedurat për datën 4 korrik.

XS
SM
MD
LG