Lidhje

Zgjedhjet lokale në Mal të Zi


Zgjedhjet lokale në Mal të Zi
Zgjedhjet lokale në Mal të Zi

Në Mal të Zi janë duke u zhvilluar zgjedhjet lokale në 14 komuna të kësaj Republike dhe në dy komuna urbane. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja e qytetarëve në votime, deri para pak çastesh, ishte mbi 40%. Për herë të parë zgjedhjet vendore nuk do të mbikqyren nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ata vendorë dhe shoqatat joqeveritare.

Në këto zgjedhje harta e mbështetjes së forcave kryesore politike nuk pritet që të ndryshojë dukshëm. Partia Demokratike e Socialistëve të Kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç, pritet të fitojë ndaj koalicionit të partive proserbe në Mal të Zi. Sondazhet parashikojnë fitoren e partisë në pushtet të Gjukanoviçit, përfshi edhe fitoren me rezultat të ngushtë, në kryeqytetin e vendit, Podgoricë që përfaqëson një të tretën e 400 mijë zgjedhësve të regjistruar që ka gjithësej Republika e Malit të Zi. Në zgjedhjet e kaluara që u mbajtën në maj të vitit 2006, menjëherë pas pavarësisë, opozita proserbe arriti të merrte vetëm një komunë.

Forcat politike shqiptare garojnë në Komunën e Ulqinit, në të cilën tradicionalisht kanë pasur pushtetin si dhe në Komunën Urbane të Tuzit, ku subjekte politike shqiptare kërkojnë të kenë pushtet të plotë. Në Komunën e Ulqinit janë hapur 35 vendvotime ku mbi 18 mijë zgjedhës kanë të drejtën e përcaktimit për 9 lista zgjedhore të garës, ndërkohë që në Komunën Urbane të Tuzit janë hapur 23 vendvotime ku 9 mijë zgjedhës mund të përcaktohen për 5 lista zgjedhore që garojnë në rajonin e Malësisë. Disa nga forcat më të mëdha të partive politike shqiptare do të garojnë edhe për disa vende këshilltarësh në Podgoricë, Tivar, Plavë dhe Rozhajë.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe ata të njësive komunale theksojnë se procesi zgjedhor është duke u zhvilluar i qetë dhe pa ndonjë parregullësi të theksuar. Mesnata e sotme mund të jetë periudhë e shpalljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve vendore në Mal të Zi.

XS
SM
MD
LG