Lidhje

Shpërthime në metronë e Moskës, të paktën 38 të vdekur


Zyrtarët rusë thonë se dy shpërthime vetvrasëse në sistemin e metrosë së Moskës gjatë orëve me trafik të dendur lanë të paktën 35 të vdekur dhe dhjetra të plagosur.

Kryebashkiaku i Moskës tha se personat që kryen shpërthimet ishin femra. Zyrtarët rusë ia hodhën fajin terroristëve nga Kaukazi verior për shpërthimet e së hënës

Shpërthimi i parë ndodhi në stacionin Lubjanka dhe la të vdekur të paktën 25 persona brenda në tren dhe në platformë. Stacioni ndodhet nën zyrat e Shërbimit Federal të Sigurimit i cili zëvendësoi KGB-në.

Shpërthimi i dytë erdhi rreth 40 minuta më vonë në stacionin Park Kulturu gjithashtu në qendër të kryeqytetit dhe si pasojë e tij gjetën vdekjen më tepër se dhjetë vetë.

Sipas dëshmitarëve, njerëzit në dy stacionet ku ndodhën shpërthimet u përfshinë nga një panik në masë.

Shpërthimet praktikisht paralizuan lëvizjen në qendër të kryeqytetit. Duket se lënda plasëse e lidhur pas trupit të dy grave u aktivizua në kohën kur hapeshin dhe mbylleshin dyert e vagonave, thanë zyrtarët.

Hetuesit po studiojnë tani fuqinë dhe llojin e lëndës plasëse të përdorur si dhe rrethanat në të cilat ndodhën shpërthimet.

Sistemi i metrosë së Moskës është njëri nga më të ngarkuarit në botë, me rreth 7 milion udhëtarë në ditë.

Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet por në një takim me presidentin Dmitri Medvedev, të transmetuar në televizion, kreu i Shërbimit Federal të Sigurimit Aleksander Bortnikov tha se të gjitha provat flasin për terroristë të lidhur me Kaukazin Verior.

Presidenti Barak Obama i dënoi sulmet, të cilat i quajti akte indinjuese. Ai tha se populli amerikan qendron bashkë me Rusinë në kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm.

XS
SM
MD
LG