Lidhje

Darkë e madhe në Nju Jork, NAAC nderon rolin e një ish zyrtari amerikan në pavarësinë e Kosovës

  • Ilir Ikonomi

Darkë e madhe në Nju Jork, NAAC nderon rolin e një ish zyrtari amerikan në pavarësinë e Kosovës

Darkë e madhe në Nju Jork, NAAC nderon rolin e një ish zyrtari amerikan në pavarësinë e Kosovës

Me një darkë të madhe në Nju Jork, Këshilli Kombëtar shqiptaro-amerikan nderoi mbrëmë kujtimin e Nënë Terezës si dhe i dha çmimin Duart e Shpresës ish zyrtarit të lartë amerikan Nikolas Bërns. Darka bashkoi në të njëjtën sallë udhëheqës nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Në Manhatan të Nju Jorkut, shqiptarët patën një tjetër rast të konfirmojnë se Ballkani përfundimisht po ndryshon. Dy ngjarje të rëndësishme në botën shqiptare, pavarësia e Kosovës dhe hyrja e Shqipërisë në NATO kanë krijuar një atmosferë të re në rajon dhe kjo u duk edhe në këtë mbrëmje të madhe të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan për të dhënë çmimet e tij vjetore.

Shqipëria, përveç hyrjes në NATO, është sot më afër se kurrë liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa pavarësia e Kosovës mori vulën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, një hap i rëndësishëm ky që i hap rrugën anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Ish nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns, sot profesor i politikës ndërkombëtare në Universitetin Harvard, u nderua me çmimin Duart e Shpresës, i cili iu dorëzua nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

“Vizioni i Kosovës së lirë është vizioni që të jetë në paqe me të gjithë. Është vizioni që t’u jetë mirënjohese gjithmonë për investimin e madh veçanësisht Shteteve të Bashkuara për lirinë e saj,” tha Presidenti Sejdiu.

Mes viteve 2006 dhe 2008 zoti Bërns ka qenë përfaqësuesi kryesor i administratës Bush në procesin e vështirë të pavarësimit të Kosovës.

“Sonte kam një mesazh. Tani jam qytetar privat dhe nuk punoj më për qeverinë amerikane por jap mësim në universitet. Mesazhi im është ky: Ju keni një të ardhme të madhe. Keni një të ardhme në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo e ardhme është juaja të cilën do ta fitoni me mençurinë, krijimtarinë, me politikat e mira dhe duke u mbështetur në mikun tuaj të mirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha zoti Bërns.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kujtoi vendosmërinë e administratave amerikane për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe për të ndihmuar që ajo të fitonte pavarësinë.

Ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi foli për realitetin e ri të krijuar në Ballkan me Kosovën e pavarur.

“Në thellësinë e qënies, secili, qoftë ata që kanë qenë pro apo ata që ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës e kanë të vështirë të mos e pranojë realitetin e ri të shtetit të ri të pavarur të Kosovës,” tha Presidenti Topi.

E veçantë në këtë darkë ishte pjesmarrja e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, një tjetër konfirmim i ndryshimeve të qarta që e kanë përmirësuar klimën politike në Ballkan pas pavarësisë së Kosovës.

“Në Ballkan, siç e dini, kur dikush ndërton një shtëpi, pasi e mbaron atë, të gjithë fqinjët vijnë për t’i sjellë një dhuratë. Në frymën e kësaj tradite, të gjithë ne po ndihmojmë Kosovën. Ajo është fqinji ynë i ri dhe prandaj ka nevojë për ndihmën tonë,” tha Presidenti Ivanov.

Këshilli Kombëtar shqiptaro-amerikan dha edhe një çmim për Nënë Terezë, bamirësen e madhe me origjinë shqiptare e cila këtë vit mbushi 100-vjetorin e lindjes. Ky është çmimi për arritjet e një jete që organizata jep çdo vit.

Kongresmeni Eliot Engel ia dorëzoi çmimin zonjës Liri Berisha, bashkëshorte e Kryeministrit Sali Berisha.

XS
SM
MD
LG