Lidhje

Ekspozitë për Nënë Terezën në Kongresin amerikan

  • Astrit Lulushi

Ekspozitë për Nënë Terezën në Kongresin amerikan

Ekspozitë për Nënë Terezën në Kongresin amerikan

Në një nga mjediset e Kongresit amerikan mbrëmë (28 prill) u përurua ekspozita me titull: "Nënë Tereza - Gonxhe Bojaxhi, simbol i gjallë i dashurisë dhe dinjitetit njerëzor". Në prani të një numri anëtarësh të kongresit dhe shqiptaro-amerikanësh, ekspozitën e deklaroi të hapur, doktoreshë Liri Berisha, themeluese dhe presidente e Fondacionit Kulturor Nënë Tereza.

Ekspozita është fryt bashkëpunimi mes Shqipërisë, Diasporës dhe Kongresit amerikan. Më 1996, me një akt të posaçëm, Kongresi e shpalli Nënë Terezën qytetare nderi, personi i katërt i huaj me këtë status në historinë e Shteteve të Bashkuara. Shqipëria dhe Kosova e kanë shpallur zyrtarisht 2010, vitin e Nënë Terezës, për të nderuar këtë bijë shqiptare, humaniste e nobeliste, e shenjëtore de-fakto, e lindur 100 vjet më parë.

Në këtë takim në një nga mjediset e Kongresit kishin ardhur edhe një numër anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve, miq të shqiptarëve. Zonja Liri Berisha, presidente e shoqatës kulturore Nënë Tereza, falenderoi pjesmarrësit. Zonja Berisha tha se ekspozita - me veshje karakteristike shqiptare, që kishte veshur Nënë Tereza gjatë rinisë së saj, objekte kulti fetar të përdorura nga Nënë Tereza gjatë misionit të saj jetësor bamirës, fotografi, piktura, vepra artistike dhe libra të ndryshëm kushtuar punës së saj, përfaqësojnë thjeshtësinë, ashtu siç ishte vetë jeta e kësaj murgeshe, bijë e kombit shqiptar në shërbim të humanizmit.

Të pranishmit i përshëndetën edhe disa ligjvënës, të cilët shprehën mirënjohje e nderim për veprën e Nënë Terezës dhe për shqiptarët në përgjithësi që i dhanë botës një figure të tillë si Nënë Tereza. Ambasadori i Shqipërisë Aleksandër Sallabanda falenderoi Kongresin për mundësinë e kësaj ekspozite, ndërsa ambasadori i Kosovës Avni Spahiu solli disa kujtime nga takimet e tij me Nënë Terezën duke theksuar fuqinë e saj hyjnore për t’i bërë njerëzit më të mire dhe të ndjeheshin më mirë.

Ligjvënësi Eliot Engel i dhuroi zonjës Berisha flamurin amerikan të shoqëruar me një çertificatë të posaçme në emër të Kongresit.Ky flamur, tha zoti Engel, më 19 prill u ngrit në kupolën e Kongresit, për nder të zonjës Liri Berisha.

Kryetari i Këshillit Shqiptaro Amerikan, Avni Mustafa, një nga organizatorët e ekspozitës tha se Nënë Tereza është figurë nderi për botën dhe mbarë shqiptarët, ndërsa viti i 100 vjetorit të saj shërben edhe si periudhë ndërgjegjësimi për ata që e njohin Nënë Terezën vetëm si bamirëse, por nuk kanë dëgjuar për prejardhjen e saj shqiptare.

Edhe veprimtari Harri Bajraktari shtoi se hapja e ekspozitës në Uashington, duhet dhe do të pasohet me ekspozita të ngjashme në shumë qytete të mëdha amerikane si dhe në kryeqytete të rëndësishme të Evropës.

I pranishëm mbrëmë ishte edhe ligjvënësi Glenn Nye nga Virxhinia. Me krenari, ligjvënësi Nye thotë se është i vetmi anëtar i Kongresit që di të flasë shqip. “Kur më pyesin nëse jam me prejardhje shqiptare, unë u them se me shpirt jam shqiptar” thotë kongresisti Nye, i cili gjuhën shqipe e ka mësuar gjatë qëndrimeve me punë në Kosovë e mes shqiptarëve në Maqedoni, përpara se të zgjidhej në Kongres si përfaqësues i shtetit të Virxhinias.

Zonja Liri Berisha është mjeke pediatre. Ajo gjithashtu kryeson edhe shoqatën Fëmijët Shqiptarë, një organizatë e ngritur për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare rreth fëmijëve me aftësi të kufizuara, përfshi ata me autizëm. Dje gjatë qëndrimit në Uashington, zonja Berisha pati edhe një drekë pune me zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Mishell Obama. Ato ndoshta patën mundësi për të biseduar mbi shumë gjëra të përbashkëta, pasi dihet se edhe zonja Obama është e angazhuar së tepërmi në veprimtari në ndihmë të fëmijëve.

XS
SM
MD
LG