Lidhje

Murdok dhe i biri kërkojnë ndjesë në parlamentin britanik


Murdok dhe i biri kërkojnë ndjesë në parlamentin britanik
Murdok dhe i biri kërkojnë ndjesë në parlamentin britanik
Manjati i mediave, Rupert Murdok dhe i biri i tij, Xhejms po dëshmojnë përpara Parlamentit britanik, duke kërkuar falje për skandalin në rritje të përgjimeve telefonike që lidhej me gazetat e kontrolluara prej tyre. I biri i zotit Murdoch, i tha një komisioni të parlamentit se ai dhe i ati i tij shprehnin "keqardhjen e madhe" për përgjimet dhe se ajo që ndodhi nuk përputhej me standardet e kompanisë së tyre News Corporation. Ai tha se ata ishin të vendosur për t’i ndrequr gjërat. Rupert Murdok tha se dalja e tij para komisionit parlamentar të hetimit ishte "dita më e vështirë e jetës së tij". Ai foli me tone pendese për skandalin e përgjimeve telefonike që tronditën perandorinë e tij të medias, por mohoi se ishte personalisht përgjegjës. Duke folur në krah të të atit, Xhejms Murdok kërkoi falje për pirateritë telefonike të kryera nga gazeta News of the World, pjesë e konglomeratit mediatik të të atit, Rupert Murdoch. "Këto veprime nuk përputhen me standardet që aspiron kompania jonë," tha ai. Mes atyre që dëshmojnë sot në parlament është edhe Rebeka Brooks, ish menaxhere e gazetës britanike, News of the World. Makina e zotit Rupert Murdok u rrethua nga fotografë të shumtë kur ai arriti për të dëshmuar në parlament. Po sot, anëtarët e komisionit i drejtuan pyetje të ashpra zyrtarëve të policisë së Londrës rreth lidhjeve të tyre të ngushta me ish redaktorët dhe gazetarët e mediave britanike të kontrolluara nga zoti Murdok, duke përfshirë gazetën News of the World që u mbyll kohët e fundit për shkak të skandalit.
XS
SM
MD
LG